Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka qenë dhe mbetet vend shembullor për respektimin e ligjit ndërkombëtar.
Por, ai ka thënë se formimi i Gjykatës Speciale për Kosovën nuk ka qenë i drejtë.
I pyetur nga gazetarët për kërkesën e 43 deputetë për të shqyrtuar shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Haradinaj ka thënë se çfarëdo vendimi që merr do ta respektojnë, raporton Ekonomia Online.
“Mua më ka punësuar Parlamenti. Çfarëdo vendimi që marrin të zgjedhurit e popullit, Qeveria është e obliguar ta respektojë”, tha kreu i Qeverisë, gjatë një vizite në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Kosova ka qenë dhe mbetet vend shembullor për respektimin e ligjit nacional dhe ndërkombëtar, e kemi dëshmuar në kohë të OKB-së, në Hagë, e tash edhe të EULEX-it. Edhe një gjykatë është ngarkesë për Kosovën dhe një planin e jashtëm e dëmton imazhin e vendit”, deklaroi Haradinaj.
I pyetur se a rrezikohen raportet me ndërkombëtarët, duke parë deklaratat e ambasadorëve të huaj, Haradinaj përsëriti se Qeveria i zbaton vetëm vendimet e Parlamentit.
“Ato procese gjyqësore duhet të zhvillohen në Kosovë e jo në Speciale. Prandaj as nuk e kemi votuar këtë gjykatë. Tani dallim i vetëm është se jam kryetar qeverie dhe pikëpamjet politike nuk ndryshojnë. Obligimet e qeverisë i marrim nga Parlamenti. Nëse ai vendos ndryshe ne i zbatojmë, respektojmë vendimin e të zgjedhurve të popullit. Vendimet e parlamentit janë urdhër për neve”, deklaroi shefi i qeverisë.
Haradinaj ka thirrur Kryesinë dhe Këshillin Drejtues të AAK-së për të diskutuar nismën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Mediet kanë raportuar se në orën 14:00 do të thirret mbledhje e jashtëzakonshme e Qeverisë, për të njëjtën çështje. Por, Haradinaj nuk e konfirmoi këtë për gazetarët.