Haradinaj falënderon ata që u angazhuan për gjetjen e policëve

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 19:05 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haraadinaj, ka thënë se gjetja e trupit të policit Armend Trena pas 10 ditë kërkimesh, po e përmbyllë rrugëtimin plot ankth, për gjithë ata që pandalë u angazhuan ditë e natë dhe pa kursyer asgjë për të kërkuar me ngulm në lumin e rrëmbyer trupat e tyre.

“E dhimbshme dhe trishtuese e gjithë ngjarja, ku dy policët tanë Armend Trena dhe Malsor Dashi, të rinj dhe në krye të detyrës, në rrethana ende të panjohura plotësisht, ranë në lumin Lepenc”, ka shkruar kreu i Qeverisë në një postim në Facebook.

“Ndajmë dhimbjen me familjarët e policëve për këtë tragjedi që u ndodhi dhe si Qeveri e vendit, zotohemi që do t’u qëndrojmë pranë për t’u përballur me humbjen e më të dashurve të tyre”.

“Një falënderim i veçantë për gjithë njësitet e Policisë, FSK-së, Njësitet e Emergjencave, zhytësit, vullnetarët, për gjithë ato vajza e djem që nuk u dorëzuan për t’i gjetur trupat e pajetë të policëve tanë”.

“Armend dhe Malsor, pushoni të qetë. Ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme