Haradinaj: Nëse vendoset që seanca të vazhdojë në 18:00, ftoj të gjithë deputetët të vijnë

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 15:16 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se në rast se vendoset që seanca e re të vazhdojë në ora 18:00, atëherë ftoi të gjithë deputetët të vijnë dhe bashkë ta vazhdojnë punën.

“Nëse vendoset seanca me fillu në ora 18:00, atëherë do të jemi të gjithë këtu dhe pres nga deputetët që të gjithë të vijnë”, tha Haradinaj.

Këto deklarata kryeministri i bëri pasi që Armend Zemaj nga LDK-ja bëri këtë kërkesë, në mënyrë që deputetët e LDK-së të jenë të pranishëm, raporton Ekonomia Online.

“Seanca e re të fillojë në orën 18:00 dhe deputetët e LDK-së do të jenë të gjithë të pranishëm”, tha Zemaj.

Ganimete Musliu nga PDK-ja komentoi numrin e vogël të deputetëve në seancë, duke thënë se prioritet për partitë në Kosovë janë agjendat partiake.

“Me sa po shihet në sallë nuk ka numër të mjaftueshëm për të votuar një mocion i tillë, prioritet në Kosovë të jenë agjenda partiake sesa shtetërore”, tha ajo.

Pas fjalës së Musliut, deputetët e LDK-së u larguan nga salla të nevrikosur duke thënë se i kanë pritur që 40 minuta.

Dardan Sejdiu nga PSD-ja tha se ata janë dakord, sido që të vendoset seanca plenare.

“Në kërkesën e Zemajt më befasoi reagimi pas fjalimit të deputetëve të PDK-së. Ne si PSD jemi dakord që sido që të vendoset seanca plenare, por ne duhet të jemi të hapur për partitë tjerat, nëse LDK-ja do të vazhdojë vetë, atëherë në rregull është”, tha Sejdiu.

Ndërkaq Ilir Deda tha se duhet që sot të miratohet pakoja e ligjeve për sundimin e ligjit.

“Ne jemi mbledhë këtu me një pako të ligjeve për sundimin e ligjit që na duhet patjetër dhe është kërkesë për Kosovën të miratohet sot dhe jo javën tjetër apo kurdo që bëhet kuorumi, por sot duhet të bëhet dhe të miratohet sot, nëse jemi 61 deputetë sot, duhet përfunduar sot këtë punë”, tha Deda.

Ganimete Musliu u tha deputetëve që nuk duhet lejuar që agjenda shtetërore të jetë në rend të dytë, e ajo partiake në rend të parë.

“Nuk guxojm agjenda shtetërore të jetë në rend dyt, ndërsa partiake të jetë e para në Kuvend. Ata kërkuan mocion përmbajtjesor dhe nuk thanë që kërkojnë mirëkuptim për shtyrjen e seancës për në ora 18:00”.

Të ngjashme