Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot rënien heroike të Enver Zymerit, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i Policisë së Kosovës, duke vlerësuar sakrificën e tij dhe të të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit.
Përmes një postimi, Haradinaj theksoi se jeta dhe përkushtimi i Enver Zymerit, së bashku me Afrim Bunjakun dhe të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun, janë dëshmi se mbrojtja e Republikës së Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, guximin dhe besimin e palëkundur në shtetin e Kosovës.
Ai vlerësoi se uniforma e policit që mbajti Enver Zymeri, sakrifica dhe shembulli i tij, ashtu si edhe i të gjithë heronjve të Kosovës në luftë e në paqe, mbeten themeli mbi të cilin qëndron shteti.
Në fund të mesazhit të tij, Haradinaj shprehu mirënjohje të përjetshme për shërbimin dhe heroizmin e Enver Zymerit dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë dhe sigurinë e Kosovës.