Haradinaj përplaset me Kusari-Lilën: Në çdo parti ke dal e zonja, e di që i ke kaluar në 5-6 parti

Prishtinë | 25 Shk 2022 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit për shkak të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Kusari-Lila e ka kritikuar Haradinajn për qëndrimin e tij karshi qeverisë Kurti për procesin e dialogut, teksa Haradinaj ia ka përmendur asaj kalimet në parti të ndryshme në Kosovë.

Fillimisht Kusari-Lila i reagoi Haradinajt, pasi ky i fundit e ka kritikuar Qeverinë Kurti se po e zhvillon dialogun me Serbinë vetëm në nivelin teknik.

Ajo tha se ka pritur nga Haradinaj një reflektim për shkak të bagazhit të tij politik dhe luftarak e kjo shpërfaqje të egos politike, siç tha ajo.

“Si kërkues i kësaj seance si ish-kryeministër e njeri me kontribut të madh të luftës kisha prit një reflektim më serioz dhe një thirrje e apel për unifikim në vend të shpërfaqjes së egos politike. Sot nuk jemi në një rrethanë normale, sot do të duhej kuvendi të mblidhej dhe në një zë të dënonte heshtjen e deritanishme të agresionit rus ndaj Ukrainës”, tha Kusari-Lila.

E në kundër replikë, Haradinaj tha se Kusari-Lila i ka ndërruar 5-6 parti, derisa ia përmendi edhe refuzimin e projektit amerikan për infrastrukturën e gazit.

“Sa i përket partive Mimozë unë të respektojë shumë. Je shumë e shkathtë. Ti ke qenë e zonja dhe në çdo parti ke dal e zonja. Edhe në VV ke hyp. Je kryetare e Grupit Parlamentar, urime. E di se i ke kalu nja 5-6 parti. Ne jemi parti e vogël është e vërtet, por aq sa jemi zërin tonë e kemi”, tha ai.

Të ngjashme