Ftesës së Kryeminsitrit Kurti për takim të mërkurën në mëngjes, me temën për projektin amerikan të gazit, Haradinaj iu përgjigj përmes një letre, që dot i është dërguar Kryeministrit.
Haradinaj tha se “Në maj të vitit 2019, Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga unë si Kryeministër i vendit, miratoi propozimin për të përfituar nga granti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt. Si rezultat, ne krijuam dhe mbështetëm një ekip ekspertësh vendor dhe me ç’rast nënshkrova marrëveshjen e Fondit të Zhvillimit Kompakt (CDF).” – duke vazhduar se “Si rezultat, programi Kompakt u zhvillua në koordinim të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjencisë MCC dhe politikat e Qeverisë Amerikane, dhe pas shumë konsultimeve me të gjithë akterët në sektorin e energjisë, u identifikuan projekte brenda programit për mbështetje për të cilat janë kryer studime të para-fizibilitetit, siç janë: 1.Zhvillimi i Sektorit të Gazit -Diversifikimi i Sektorit të Energjisë; 2.Balancimi i Sistemit të Gjenerimit përmes krijimit të rezervave të energjisë për rrjetin e Transmisionit; 3.Fuqizimi i Sektorit të Energjisë”.
Haradinaj ka shtuar se “…zhvillimet që kanë pasuar me Qeverinë Kurti, politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për vendin si dhe partneritetin me SHBA-në”.
Ai ka sulmuar zëvendëskryeministrin Bislimi sepse ai “e etiketoi dhe e përshkroi Projektin e Gazit si një projekt rus, mohoi vendimet e qeverive të mëparshme dhe dezinformoi publikun me shumë të pavërteta të dëmshme”.
Haradinaj në letrën e cila është postuar edhe në llogarinë e tij në Facebook, ka kërkuar nga Kurti distancim publik nga deklaratat e zv.Kryeministrit Bislimi dhe thirrja e të njëjtit në përgjegjësi, pasi që “qendrimet e Zëvendëskryeministrit dhe të Kryeministrit janë në pajtushmëri të plotë”.
Për këtë shkak, Haradinaj konsideron se “në keto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideroj si të panevojshëm”, duke bërë me dije se nuk do të jetë pjesë e takimit të Kurtit me liderët opozitarë.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që “të marrë vendimet e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e projektit të Kompaktit bazuar në studimet e kryera deri më tani nga të gjithë aktorët e përfshirë”. Gjithashtu Haradinaj ka bërë të qarta edhe rekomandimet e tij, që janë me sa vijon:
1. Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit të mbështetet nga Qeveria dhe të integrohet në planifikime strategjike.
2. Revidimi i Strategjisë së Energjisë të mos vonohet dhe të integroj në vetvete zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe kapaciteteve gjeneruese.
3. Përveç mbështetjes së Kompaktit për këtë projekt, Qeveria e Kosovës duhet të përkushtohet në avancimin e negociatave me BERZH-in dhe BE-në për të siguruar financimin e projektit të gazit.
4. Qeveria e Kosovës të fillon krijimin e kushteve per krijimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
5. Të mbështetet studimet e mëtejshëme për komponentën e prodhimit të gazit në energji për të adresuar nevojat për rezerva dytësore dhe terciare për të balancuar sistemin e rrjetit të transmisionit.
Haradinaj shtoi se është “në dijeni që zbatimi i projekteve me interes strategjik për vendin kërkon kohë dhe qasje në financa, prandaj presim që studimet shtesë që janë duke u zhvilluar të ndihmojnë në matjen e këtyre kërkesave”.
“Në fund, mbështes përpilimin e Programit Kompakt siç rekomandohet në studimin e para-fizibilitetit dhe shpresoj se rezultatet e fizibilitetit do të vlerësojnë kushtet e tranzicionit të prodhimit të energjisë në Kosovë, nga thëngjilli në gaz, dhe potencialisht në burime të tjera që janë më miqësore për mjedisin.” – përfundoi Haradinaj.