Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mbërritur në Nju York, për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Hasani pritet të firmos disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave, në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë.
Gjithashtu, ministri do të ketë takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros etj, raporton Euronews.al.
Java e nivelit të lartë nisi dje me takimin “Pekin+30: drejt një bote me barazi gjinore”, ku Hasani nënvizoi politikat e qeverisë shqiptare që nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike.
Prioritetet e Shqipërisë, gjatë sesionit të 79 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së do të jenë në përputhje me kontributin e dhënë gjatë periudhës së anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit dhe përfshijnë promovimin e multilateralizmit, mbështetjen për Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.