Havolli e quan nënçmues e të papranueshëm vendimin e Qeverisë për shtesat e stafit shëndetësor

Prishtinë | 26 Gus 2021 | 12:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vendimin e Qeverisë për ofrimin e shtesave në vlerë mujore prej 60 euro për stafin mjekësor, po e konsideron nënçmues e demotivues ish-kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli.

Havolli në një prononcim për Ekonomia Online theksoi se një vendim i tillë është i papranueshëm dhe nënçmues për të gjithë ata infermierë që e dinë se çka do të thotë të jesh profesionist.

“Ai që e pranon këtë vendim ja është i çmendur ja nuk e di çka do të thotë profesionist. Vendimi i djeshëm është ofendues, nënçmues, është degradues, demotivues, është gjithçka e keqe…”

“E dinë edhe qytetarët çfarë pune dhe angazhimi patën profesionistët që nga paslufta e sidomos në këtë kohë të pandemisë. Sot po flas për komunitetin infermieror, i cili vërtetë ka sakrifikuar edhe jetën e familjes për t’i dalë në ndihmë qytetarëve”, është shprehur ai.

Më tej, Havolli shtoi se Qeveria e Kosovës duhet të punojë në drejtim të parandalimit të ikjes së profesionistëve shëndetësor nga vendi.

Sipas tij, shumë shpejt me këtë ritëm, qytetarët e vendit do të mbesin të detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në vendet e rajonit.

“Asnjëri nuk mund ta pranojë, për shkak se është ofendues ky vendim i Qeverisë. Ata gjithmonë e kanë pasur të ditur që profesionistët dhe vendi po rrezikohet të jetë pa ta, duke marrë parasysh rrugët që kanë hapë në Bashkimin Evropian, sidomos në Gjermani ,duke iu ofruar jashtëzakonisht kushte enorme më të mira se këto që i ofrojnë tek ne”.

“Ne duhet me parandaluar një fenomen të keq që mundet me i ndodhë shoqërisë e kjo është rreziku më i madhi që mund t’i kanoset shoqërisë, kur profesionistët nga ikin prej vendit dhe ne nesër nuk kemi ku t’i marrim shërbimet veç që duhet me dalë në fqinjët tanë për tu shërbyer në ndonjë nevojë tonën profesionale edhe më të thjeshtën”, ka përfunduar ai për EO.

Qeveria në mbledhjen e djeshme mori vendim të ndajë 2.7 milionë euro si mbështetje e stafit mjekësor në sektorin publik me pagë shtesë prej 10% të pagës së rregullt bruto, jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor.

Të ngjashme