Haxhiu: Armend Muja po i shkel 21 mijë nënshkrime të qytetarëve për Trustin

Prishtinë | 23 Nën 2022 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti Pensional, pa mendim të Qeverisë iu është dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar para se të hidhet në votim.

E ky Projektligj para se të shkoj në seancë, duhet që të diskutohet në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, brenda dy deri në katër javë.

Afati për trajtimin e këtij Projektligji në komision përfundon të enjten.

E për vonimin e sjelljes së tij në komision, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, për Front Online, tha se fajtor është kryetari i komisionit Armend Muja.

“Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, i ashtuquajturi deputet Muja, ai është duke e prolonguar qëllimisht kërkesën e qytetarëve për Trustin, ai është duke i shkelur mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve të cilët e kanë ri iniciuar Projektligjin për Trustin”, tha Haxhiu.

Ndërsa i pyetur se çfarë do të ndodh pas datës 24 nëntor nëse nuk trajtohet në komision ky Projektligj, deputeti Haxhu tha se kryetari i komisionit Armend Muja duhet të përgjigjet publikisht për shkeljen e rregullores së Kuvendit.

“Rregullorja e parasheh që një Projektligj kur iu shpërndahet deputetëve duhet të trajtohet dy deri në katër javë. Me 24 bëhen katër javë pune që na u është shpërnda Projektligji dhe është data e fundit që do të duhet që sipas rregullores të trajtohet ky Projektligj.  Z. Muja duhet të përgjigjet publikisht pasi që shkelja e rregullores së Kuvendi është e barabartë me shkeljen e kushtetutës së Kosovës, shkelja e rregullores është më e rënd se sa të shkelet një ligji”.

Të ngjashme