Haxhiu për rastet e dhunës seksuale dhe në familje: Do të ketë pasqyrë të qartë se kush s’i ka kryer detyrat

Prishtinë | 23 Tet 2023 | 11:55 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje, të hënën është takuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton Ekonomia Online.

Temë diskutimi ishin çështjet e dhunës në familje dhe dhunës seksuale, shikuar nga këndi i këtij dikasteri.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Alban Bajrami, tha se Kosova është vendi i parë që e ka votuar Konventën e Stambollit dhe se po e trajtojnë me prioritet parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës seksuale.

Për këtë temë, më gjatë foli ministrja Albulena Haxhiu. Ajo tha se me marrjen e mandatit, parandalimi i kësaj dukurie është bërë prioritet. Theks të veçantë tha se i kanë dhënë miratimit të akteve nënligjore, me ç’rast është edhe ofrimi i ndihmës juridike falas.

Madje tha se për ata prokurorë e gjyqtarë që nuk i kanë kryer detyrat do ketë një vlerësim të qartë.

“Në momentin që është themeluar komisioni e kam mirëpritur sepse e konsideroj të rëndësishme trajtimin e këtyre çështjeve. Që nga momenti që kam pranuar punën, çështja e dhunës në familje është bërë prioritet. Për këtë qëllim e kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës seksuale dhe po ashtu ne kemi miratimit një sërë aktesh nënligjore. Ndër to janë ofrimi i ndihmës juridike falas”.

“Gjatë këtij viti kemi ndarë buxhet për strehimoret dhe këtë vit kemi ndarë rreth 900 mijë euro dhe është buxheti më i madh për këto strehimore. Ndërsa 1.5 milionë janë ndarë për subvencione për organizatat që merre me parandalimin e kësaj dukurie”, u shpreh Haxhiu.

“Deri tani nuk kemi parë veprime ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të kenë marr veprime disiplinore. Do ta kemi një pasqyrë të qartë se kush nuk i ka kryer detyrat dhe kush është dashur të bëjë më shumë”, u shpreh Haxhiu.

E deputetja Duda Balje, kërkoi të di për dështimin e sistemit në parandalimin e rasteve të dhunës në familje.

E ministrja Haxhiu, dha dy çështje që sipas saj, ndodhin këto raste, raporton EO.

“Mendoj që problemet kryesore për këtë çështje janë mungesa e zhvillimit ekonomik dhe mentaliteti patriarkal. Mendoj që rastet e dhunës ka më shumë se sa që raportohet”.

“Unë them se nuk është e rëndësishme vetëm të raportohet dhe se ka raste kur raportohet, por nuk ndërmerren masa”, u shpreh Haxhiu, teksa kritikoi institucionet e drejtësisë për siç tha lirimin e dhunuesve dhe shqiptimin e masës me lirim në procedurë të rregullt.

“E keni rastin e Hamide Magashit, i cili u lirua në procedural të rregullt dhe nga dhunues u rikthye në vrasës”, tha tutje Haxhiu.

Të ngjashme