Haziri e quan Mr. Bean, Kurtin, thotë se tubimi i mbrëmshëm në Prishtinë është përgjigja për të

Prishtinë | 26 Sht 2019 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë të enjten gjatë një tubimi elektoral në Klinë se LDK është ngritur në këmbë dhe dëshmi për këtë ka qenë tubimi madhështor që është mbajtur mbrëmë në Prishtinë.

Nga Klina, Haziri ka thënë se dëshiron t’i përgjigjet Albin Kurtit se për cilat arsye ka qenë i lumtur me rizgjedhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së dhe nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministre.

“Ai që unë po e quaj Mr. Bean u bë merak me e ditë pse unë kam shkuar i lumtur në takime, sepse kam qenë i lumtur pas rizgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe nominimit të Vjosa Osmanit kryeministre. Ju ka bë merak dhe që një muaj s’po i bie në fije që unë kam qenë ma i lumturi. Dëshiroj me i tregu nga Klina se kurrë ma i lumtur se atë ditë nuk kam qenë, sepse sheshi i Prishtinës mbrëmë dhe kjo sallë, tregon se LDK-ja është bashkuar dhe besimi jonë është në Vjosën”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, kundërshtarët e LDK-së kanë shpresuar në përçarje LDK-së, por kjo nuk ka ndodhur.

“Përnjëmend kemi me fitu. Ata që kanë prit dhe kanë bë sehir natën me e përça LDK-në, e me thye LDK-në dhe në copat e saj me dalë fitues, janë ndarë të zhgënjyer. Kanë me mbet të dëshpëruar përjetë sepse LDK është rikthye në besim në familje që është program i Vjosës, në besim në shtet që është program i Vjosës dhe në besimin në Zot që është besim i joni. Ëndërr kanë me na pa, po ju tregoj drejt, por edhe pak duhet me dal me punu”, iu ka thënë Haziri mbështetësve të LDK-së.

Ai e ka quajtur ofenduese qasjen e Vetëvendosjes që ka ofruar autobusë falas për bashkatdhetarët tanë në Evropë që duan të vijnë për të votuar më 6 tetor.

“Njerëzit që Kosovës i japin qindra miliona euro në vit, nuk kanë nevojë për një biletë autobusi. Këta njerëz kanë nevojë për një mirëdita dhe për një respekt, e LDK është parti e respektit. LDK i falënderohet deri në gjunjëzim bashkatdhetarëve tanë”, ka pohuar Haziri.

Të ngjashme