Infektologu Gramoz Bunjaku ka reaguar lidhur me rastet e dyshuara të helmimit në Prishtinë, duke theksuar se rezultatet negative të mostrave sanitare nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht përjashtimin e një burimi të mundshëm infeksioni.
Sipas Bunjakut, në raste të shpërthimeve epidemike, siç janë dyshimet për infeksione nga Salmonella Enteritidis, hetimi nuk mund të mbështetet vetëm në analizat e mostrave sanitare, por duhet të bazohet në kombinimin e të dhënave epidemiologjike, klinike dhe laboratorike.
“Mostrat sanitare negative nuk e përjashtojnë burimin e infeksionit. Një rezultat negativ i mostrave sanitare nuk e përjashton domosdoshmërisht Salmonella Enteritidis”, shkroi ai.
Bunjaku ka renditur disa faktorë që mund të ndikojnë në rezultatin e mostrave, përfshirë faktin se ushqimi i kontaminuar mund të jetë konsumuar ose larguar para marrjes së mostrave.
“Kjo mund të ndodhë sepse: ushqimi i kontaminuar mund të jetë konsumuar ose asgjësuar para marrjes së mostrës; kontaminimi mund të ketë qenë i pabarabartë, ndaj jo çdo pjesë e ushqimit përmban bakterin; sipërfaqet mund të jenë pastruar ose dezinfektuar para marrjes së mostrave; dhe, sasia e bakterit mund të jetë nën kufirin e zbulimit laboratorik”, tha ai për Klan Kosova.
Infektologu deklaroi gjithashtu se gjatë hetimit të një shpërthimi, përfundimet bazohen në kombinimin e të dhënave epidemiologjike, klinike dhe laboratorike, e siç u shpreh, jo vetëm në rezultatet e mostrave sanitare.