Hill i çon mesazh Vuçiqit dhe Kurtit: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është më i rëndësishëm se nënshkrimi

Prishtinë | 21 Mar 2023 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë të shtunën në Ohër është ligjërisht e detyrueshme dhe pa nënshkrim, ka konfirmuar sot për FoNet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, Christopher Hill, dhe ka treguar se një nga elementet kyçe të marrëveshjes është se detyrimet e të dyja palëve janë pjesë e procesit të integrimit evropian.

Hill theksoi se është bërë e qartë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është urgjente dhe i rëndësishme, duke kujtuar se ky është një obligim që është pranuar para 10 vitesh nga Kosova, Serbia dhe BE-ja.

“Nga këndvështrimi i publikut serb, është shumë e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare, si BE-ja, të kenë një marrëveshje të cilës duhet t’i përmbahen dhe të sigurojnë zbatimin e saj”, tha Hill dhe shtoi se Asociacioni është i rëndësishëm për t’i ofruar komunitetit serb në Kosovë siguri dhe të ardhme.

“Unë kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur asnjë nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë, por nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Pyetja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe kjo do të jetë interesante të shihet në javët dhe muajt e ardhshëm”, vijoi Hill, shkruan Danas.

I pyetur për deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se do të zbatojë aneksin e propozimit evropian deri te “vijat e kuqe”, Hill u përgjigj se Vuçiq ka thënë qartë se çfarë mund të pranojë dhe çfarë jo.

“Në vend që të flasim për vijat e kuqe, duhet të fokusohemi në faktin se ai e kishte shumë të qartë me BE-në se çfarë mund të bënte, si dhe kur, gjë që mendoj se është mirë. Mendoj se duhet bërë edhe nga ana e Kosovës”, tha ai.

Të ngjashme