Hoti kritikon Qeverinë Kurti, thotë se në vend që të kërkojnë njohje reciproke kërkuan traktate mos-sulmi

Prishtinë | 25 Pri 2022 | 20:13 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë Kurti për qasjen e tyre ndaj dialogut me Serbinë.

Hoti në një status të gjatë në Fabook ka thënë se delegacioni i Kosovës ka kërkuar në Bruksel nënshkrim të traktateve të mos-sulmimit dhe zëvendësim të CEFTA-s në vend se të kërkojnë njohje reciproke.

“Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale e braktisi dialogun për njohje reciproke, të cilin qeveria ime me ndihmën e partnerëve e kishte kornizuar shumë qartë. Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës të arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.”

“Qeveria aktuale, në vend që të insistonte në mbyllje të dialogut me njohje reciproke, në Bruksel propozoi ‘traktate’ për mos-sulm dhe për zëvendësim të CEFTA-së, të cilat u injoruan plotësisht dhe me të drejtë nga ana e BE-së. Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje. Në takimet e Komisionit për Stabilizim-Asociim, të mbajtura në Prishtinë në nëntor 2021 dhe në Bruksel në mars 2022, mazhoranca qeverisëse në Kosovë u zotua për zbatim të marrëveshjeve paraprake të dialogut, të cilat brenda Kosovës i kritikon dhe i kundërshton fuqishëm”, thotë ai.

Hoti shton se tani liderët e institucioneve duhet të tregojnë përgjegjësi shtetërore.

“Ndërkaq, tani kur duhet marrë përgjegjësi shtetërore dhe duhet treguar seriozitet para partnerëve, nuk dinë çfarë të thonë”, shtoi ai.

Të ngjashme