Hoti para fermerëve të Rahovecit, do ta trefishoj buxhetin për bujqësi

Rahovec | 24 Maj 2017 | 11:31 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një takimi me fermerë nga komuna e Rahovecit, ka premtuar se do ta trefishojë buxhetin për subvencionet në bujqësi.

Hoti, i cili edhe vetë vjen nga Rahoveci, para bashkëvendësve të tij, tha se qëllimi i kësaj vizite është që të bashkërendojnë dhe qartësojnë së bashku programin qeverisës për bujqësi.

“Unë sot jam në Rahovec ka bujqësia është aktiviteti kryesor ku bujqit sigurojnë të ardhurat. Ju garantoj se në qeverisjen e ardhshme pas 11 qershorit, vëmendje të madhe do të ketë sektori i bujqësisë”, tha Hoti, raporton Ekonomia Online.

Më pas, ai ka shpalosur tri pika për bujqësinë. “Programi i LDK-së dhe partnerëve të koalicionit në fushën e bujqësisë përbëhet nga tri shtylla kryesore. Pika e parë do ta trefishojmë buxhetin për subvencionim të sektorit të bujqësisë. Do të subvencionojmë të gjitha sipërfaqet bujqësore, të gjitha kulturat bujqësore dhe do ta ndërrojmë modelin e subvencionimit, duke i subvencionuar fillimisht sipërfaqet që mbillen dhe më pas edhe prodhimtarinë bujqësore”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se ne përveç synimit që të punojmë sa më shumë tokat, kemi për synim që tokat tona të prodhojnë më shumë produkte, në mënyrë që të konsumojmë sa më tepër produkte që kultivon toka jonë.

“Në fillim të vitit do të merrni subvencionet, para se të fillojë sezona e bujqësisë, në mënyrë që fermerët të kenë mjete për të blerë farën dhe inputet tjera të bujqësisë me kohë. Në fund të sezonës do të subvencionojmë prodhimtarinë bujqësore”, ka thënë Hoti, duke u zotuar se ai do ta mbajë fjalën, ashtu siç ka dëshmuar në këto dy vite e gjysmë qeverisje.

Pika e dytë e Plani për bujqësi të prezantuar nga Hoti ka të bëjë me rinovimin e komplet të pajisjeve bujqësore. “Ne do t’i blejmë pajisjet bujqësore nëpërmes granteve dhe do t’ua shpërndajmë fermerëve varësisht nga nevojat që kanë. Në dy vitet e para të qeverisjes do ta zëvendësojmë makinerinë që përdoret për prodhim”, ka thënë ai.

Me këtë rast, rreth 100 fermerëve që ishin prezent, Hoti ua kumtoi edhe një lajm të gëzueshëm.

“Sot e kemi marrë një lajm të mirë nga Banka Botërore, është aprovuar Strategjia për Kosovën, në të cilën kemi punuar shumë në Ministrinë e Financave. Strategjia parasheh financimin e 210 milionë euro në pesë vitet e ardhshme për ta ndihmuar Kosovën. Pjesa më e madhe e kësaj shume shkon në sektorin e bujqësisë”, ka thënë kandidati i koalicionit LDK-AKR-Alternativa për kryeministër.

Pika e tretë e programit të tij ka thënë se është dyfishimi i tokave që ujiten nga sistemi i Radoniqit. “Kam nënshkruar marrëveshje për të rekonstruktuar komplet rrjetin ekzistues prej 10 mijë hektarë tokë nga Radoniqi, të cilat aktualisht vetëm 5 mijë janë të shfrytëzueshme. Në shtator fillon riparimi i sistemit të ujitjes ndërsa vitin tjetër do të dyfishohen tokat në sistemin e ujitjes”, ka thënë Hoti.

Ai ka garantuar se subvencionet do të shkojnë tek bujqit dhe do të jemi të pakompromis, për të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë keqpërdorur ato.

Hoti ka paralajmëruar se Qeveria e drejtuar nga ai do të fillojë edhe krijimin e skemës për kompensimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë.

Të ngjashme