Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, tha se Lëvizja Vetëvendosje po bën propagandë me sigurimet shëndetësore, duke thënë se edhe pas pesë vitesh pushtet, kjo çështje vazhdon të mbetet premtim dhe jo realitet.
“Nuk është sukses të shpallësh themelimin e asaj që ekziston në ligj prej vitit 2014. Sukses do të ishte që qytetari të hynte në spital me kartelë sigurimi shëndetësor në dorë, e jo me kuletë në xhep”.
Hoti tha se Fondi i Sigurimit Shëndetësor është paraparë me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor të vitit 2014 dhe se s’është ide e re, por një obligim i papërmbushur me vite.
Postimi i plotë:
Propaganda për sigurimet shëndetësore
Nuk është sukses të shpallësh themelimin e asaj që ekziston në ligj prej vitit 2014. Sukses do të ishte që qytetari të hynte në spital me kartelë sigurimi shëndetësor në dorë, e jo me kuletë në xhep.
Propaganda mund të krijojë tituj për një ditë, por nuk mund të fshehë faktin se pas pesë vitesh pushtet, sigurimi shëndetësor vazhdon të jetë premtim, jo realitet.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor është paraparë me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor të vitit 2014. Pra, nuk po flasim për një ide të re, por për një obligim shtetëror që ka mbetur i pazbatuar për më shumë se 10 vjet. Nëse pas pesë vitesh pushtet, arritja më e madhe është riemërtimi dhe ripaketimi i një fondi të paraparë me ligj para një dekade, atëherë kjo dëshmon për dështimet e kësaj qeverie e jo për sukseset e saj.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë pse, pas pesë vitesh qeverisje absolute, sigurimet shëndetësore ende nuk janë funksionalizuar.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë kur do të fillojë pagesa e faturave shëndetësore përmes fondit dhe cilat shërbime dhe barna do të mbulohen.
Sikur sigurimet shëndetësore të ishin funksionalizuar, kjo do të ishte e barabartë me rritjen e të ardhurave të familjeve me rreth 100 euro në muaj apo rreth 1200 euro në vit.