Hoti: Shkarkimi i bordit të AKA-së rezultoi me përjashtimin nga EQAR-i

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 11:56 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avdullah Hoti nga Grupi Parlamentar i LDK-së, për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR fajin i’a hedhi kryeministrit dhe ministrit për mos dhënien e informatave për shkarkimin e bordit të AKA-së, raporton Ekonomia Online.

“Ky regjistër është etniteti i parë ligjor i përbërë nga shteti i Bolonjës, Kosova ka qenë shteti i parë nga rajoni që është bërë pjesë e këtij institucioni. Shkarkimi i bordit në 2017 është përjashtimin nga ky institucion pasi që vendimi i regjistrit merr për bazë shkeljet në bordin e kaluar dhe shkeljet në krijimin e bordit të ri”, tha Hoti.

“Do të ishtë mirë që kryeministri dhe ministri të ju përgjigjet pyetjeve. Të na tregojnë për arsyet e shkarkimit të bordit, duhet dhënë përgjigje pse është shkarkuar i tërë bordi. Cilat janë arsyet që shkarkohet anëtari austriak i bordit dhe anëtari amerikan i bordit që është propozuar përsëri në bordin e ri. Nuk do ta kishim këtë situatë nëse ministri të raportonte për shkarkimin e atij bordi dhe për shkelje ligjore të tyre që ngriten dyshime për shkarkimin e atij bordi”.

Hoti ka thënë mes tjerash se është koha ta vëmë interesin e fëmijëve tonë para interesave partiake.

Fjalimi i plotë i Hotit:

Të nderuar deputetë,

Menjëherë pas festimit të 10 vjetorit të pavarësisë, në vend që të kishim njohje dhe anëtarësime të reja në mekanizma ndërkombëtarë, më datë 27 shkurt 2018, Agjencia Kosovare e Akreditimit përjashtohet nga “Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë”.

Për njoftim të opinionit, ky Regjistër është entiteti i parë ligjor në kuadër të Procesit të Bolonjës, i përbërë nga shtetet anëtare të Procesit të Bolonjës. Ky institucion evropian siguron që agjencitë e akreditimit përmbushin standardet ndërkombëtare të cilësisë në arsimin e lartë.

Kosova ka qenë shteti i parë nga rajoni që është bërë pjesë e këtij institucioni dhe ka qenë përfituesja më e madhe e donacioneve për arsim të lartë, duke sjell ekspertizën ndërkombëtare në Kosovë, dhe mobilitet të studentëve dhe stafit akademik.

Por, kjo tani është histori. Shkarkimi i papritur i Bordit në shtator 2017 qoi në përjashtimin e kësaj Agjencie nga ky institucion evropian.

Vendimi i Regjistrit Evropian të Cilësisë merr për bazë shkeljet në procesin e shkarkimit të Bordit dhe propozimin e Bordit të ri.

E para, sipas nenit 7, pika 1, të Ligjit për Arsimin e Lartë, Agjencia e Akreditimit është e pavarur në hartimin e standardeve të cilësisë. Vendimet e saj nuk duhet të vihen në pikëpyetje nga palët e treta, sepse kjo konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë e saj.

Kështu që sipas vendimit të Regjistrit Evropian të Cilësisë, me shkarkimin e Bordit, kjo Agjenci e ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome.

E dyta, ligji për Arsimin e Lartë, Neni 7, pika 5, thotë: “Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet t’i raportojë Kuvendit”. Është obligimi ligjor i Ministrit për të raportuar në Kuvend, i cili nuk është përmbushur.

Të nderuar deputetë,

Në letrën e Ministrit drejtuar Regjistrit Evropian të Cilësisë, theksohet se shkarkimi i Bordit është bërë me kërkesë të Kryeministrit bazuar në informata konfidenciale për veprime jo ligjore të anëtarëve të Bordit.

Do të ishte mirë që Kryeministri dhe Ministri të përgjigjen në pyetjet në vijim për të ndihmuar vendimmarrjen e këtij Kuvendi:

  1. Cilat janë këto informatat konfidenciale?
  2. A ka pasur Ministri qasje në këto informata?
  3. A janë vënë në dijeni anëtarët e Bordit për arsyet e shkarkimit?
  4. Në letrën e Ministrit drejtuar Presidentit të Regjistrit Evropian të Cilësisë, thuhet se “informatat konfidenciale” nuk vlejnë për të gjithë anëtarët e Bordit. Atëherë duhet dhënë përgjigje se:
    • Përse është shkarkuar i tërë Bordi?
    • A janë ndërmarrë veprime ligjore ndaj atyre anëtarëve të Bordit që kanë bërë shkelje?
  5. Cilat janë arsyet për shkarkimin e anëtarit austriak të Bordit, z.Chritian Tauch, i emëruar në Bord vetëm dy muaj më herët?
  6. Si ka kuptim të shkarkohet anëtari amerikan i Bordit, z.Herb Amato, i cili pastaj është propozuar përsëri në Bordin e ri?

Të nderuar deputetë,

Vendimi i Regjistrit Evropian të Cilësisë ka rezultuar edhe për shkak të komunikimit jo adekuat të tyre me autoritetet kosovare.

Sipas statutit të Regjistrit Evropian të Cilësisë, agjencitë anëtare obligohen të raportojnë për ndryshimet që bëjnë nëse ato ndryshime do të kenë ndikim në anëtarësimin e tyre në këtë institucion.

Ministria e Arsimit e ka pranuar një kërkesë nga Regjistri Evropian i Cilësisë në tetor 2017 për ofrimin e informatave lidhur me shkarkimin e Bordit.

Pastaj edhe një shkresë tjetër në dhjetor 2017, ku Ministria është informuar se Regjistri Evropian i Cilësisë është duke bërë një vlerësim të jashtëzakonshëm të Agjencisë.

Në vendimin për përjashtim është theksuar se emërimi i anëtarëve të rinj të Bordit nuk është transparent.

Është e papranueshme që për pesë muaj (nga tetori 2017 deri në shkurt 2018) nuk është ndërmarrë asgjë për të shmangur përjashtimin.

Sot nuk do ta kishim këtë situatë sikur të ndërmerreshin këto veprime:

  1. Ministri të raportonte në Kuvend për shkarkimin e Bordit,
  2. Kryeministri dhe Ministri të ndërmerrnin veprime për shkeljet e pretenduara të ish anëtarëve të Bordit,
  3. Pas këtyre veprimeve, të sigurohej një proces transparent në përzgjedhjen e anëtarëve të ri të Bordit.

Duke qenë se këto veprime nuk janë ndërmarrë, natyrshëm ngriten dyshime për motivet e këtij shkarkimi, këtu në Kuvendin e Kosovës, e lëre më nga ana e Regjistrit Evropian të Cilësisë.

Tani jemi në fazën e ankimimit të vendimit.

Në pikën 12.1 të Rregullores për Aplikim të Regjistrit Evropian të Cilësisë, theksohet se “arsyet e mundshme për ankesa kufizohen vetëm në gabimet procedurale që mund të kenë ndikuar në dëmtimin e gjykimit të Regjistrit Evropian të Cilësisë. Mospajtimet e thjeshta me vendimin e Komitetit të Regjistrit nuk përbëjnë arsye të vlefshme për ankesë”. 

Pra, ankesa mund të bëhet vetëm nëse dëshmitë e ofruara nga Agjencia dhe Ministria nuk janë marrë parasysh nga Komiteti i Regjistrit Evropian i Cilësisë. Dëshmi të reja nuk do të pranohen. Rrjedhimisht, Agjencia dhe Ministria nuk janë në pozitë të apelojnë vendimin për përjashtim.

Kështu që, është e pamundur që ky vendim të shfuqizohet shpejt dhe të kthehet situata e para 27 shkurtit 2018.

Cilat janë pasojat e këtij vendimi?

E para, ky përjashtim mund të ndikojnë në punësimin sezonal në Evropë të të diplomuarve dhe të atyre që vijojnë arsimin e lartë.

E dyta, rrezikohet referencimi i Kosovës në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, që ka qenë ndër arritjet e mëdha të sistemit të arsimit dhe aftësimit të Kosovës gjatë vitit 2016-2017 të Qeverisë Mustafa.

Në faqen 19 të raportit vjetor të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve për vitin 2016, thuhet se “Kosova duhet pas një viti të raportojë për progresin në implementim të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve para grupit këshillëdhënës të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, në të kundërtën tërhiqet referencimi”.

Tashmë dihet se ky raportim është shtyrë për mbledhjen e 48 të Këshillit të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, që pritet të ndodhë këtë pranverë.

Tanimë, Agjencia Kosovare e Akreditimit rrezikon që seriozisht të përjashtohet edhe nga ENQA, e cila e ka vënë Kosovën në një lloj suspendimi, që pasohet nga një vlerësim i jashtëzakonshëm i situatës.

E treta, janë bërë dëme serioze në arsimin e lartë në Kosovë.

  • Në institucionet e arsimit të lartë, sidomos në ato private, ka humbur kontrolli lidhur me numrin e studentëve të pranuar brenda afateve të parapara me rregullore të Agjencisë.
  • Është devalvuar procesi i akreditimit.
  • Nëse në muajt në vijim nuk kryhet procesi i akreditimit/ri-akreditimit, plot institucione të arsimit të lartë nuk mund të shpallin konkurs për studentë të ri në vitin akademik 2018-19.

E katërta, me këtë përjashtim dëmtohet:

  • Njohja e diplomave në shtetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
  • Mobiliteti i studentëve dhe mësimdhënës të Kosovës në universitete evropiane.
  • Njohja e kredencialeve akademike të stafit akademik.
  • Bashkëpunimi ndërkombëtarë i institucioneve të arsimit të lartë të Kosovës.
  • Mobiliteti i studenteve të huaj në Kosovë dhe njohja e studimit në Kosovë nga ana e tyre.

Prandaj, të nderuar deputetë,

Sot është koha ta vëmë interesin e fëmijëve tonë para interesave partiake. Sot këtu është vendi të dëshmojmë këtë, duke lëvizur nga frazat politike, drejt vendimeve që hapin perspektivë për arsim cilësor.

Të ngjashme