Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se sot u arrestuan shtatë të dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika më 1 prill, raporton Ekonomia Online.
Ai këtë të dhënë e kumtoi në konferencën për media në Ferizaj, në përfundim të operacionit policor në Kaçanik.
“Sot kemi konkretizuar një operacion policor me arrestime, shumica e tyre në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Janë arrestuar shtatë persona që dyshohen se kanë marr pjesë në planifikimin dhe vrasjen e rreshterit tonë. Gjatë operacionit nuk ka pasur incidente.
Janë konfiskuar dy vetura,armë, fishekë, dylbi. 170 zyrtarë policorë kanë marr pjesë në këtë operacion”, tha Hoxha në konferencën për media në Ferizaj.
Drejtori i Policisë Hoxha shtoi se njëri nga të arrestuarit është ish-pjesëtar i FSK-së.
Ai tha rreshteri i vrarë kishte punuar në hetimet në disa vepra penale që disa nga të arrestuarit kishin kryer më herët.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare, kur kanë ndodhur këto raste dhe ka punuar në mbështetjen e hetimeve të policisë. Këta janë persona, që disa prej tyre, kanë qenë të dyshimtë për djegien e Gjykatës në Kaçanik”, tha Hoxha.