Hoxha: Situata e sigurisë në veri ende e brishtë, ka mundësi tensionimi

Prishtinë | 26 Mar 2024 | 10:57 | Nga Flutura Sogonjeva

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë, megjithatë në pjesën veriore të vendit mbetet e brishtë, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023, Hoxha ka përmendur incidentet kriminale gjatë vitit të kaluar.

Kjo sipas tij vjen, për shkak të grupeve kriminale të cilat veprojnë në veri të vendit.

“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe me gjerë vlerësohet të jetë e qetë. Në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë. Me mundësi të tensionimit si rezultat i aktiviteteve, strukturave ilegale dhe grupeve kriminale dhe terroriste”, ka deklaruar Hoxha.

Megjithëkëtë, ai tha se përkundër këtyre sfidave, Policia e Kosovës ka arritur me sukses të menaxhojë situatën e sigurisë dhe ka përmbushur misionin e saj duke garantuar rendin dhe sigurinë publike në gjithë territorin e Kosovës.

Ai përmendi edhe disa prej veprave më të rënda kriminale gjatë vitit 2023. “Kemi pasur rritje nga 21 në 29 raste të vrasjeve. Dhuna në familje, fatmirësisht ka pasur ulje gjatë këtij viti prej 10.77%”, deklaroi Hoxha.

Ai ka theksuar se gjatë vitit 2023 janë zbatuar 73 urdhra operativ, teksa plane operative kanë qenë 1889.

Tek aksidentet me fatalitet, Hoxha tha se 96 sosh kanë qenë në vitin 2023. ”Numri i personave të vdekur në aksidente ka mbetur i njëjtë si vitin e kaluar 106″, shtoi ai.

Hoxha ka thënë tutje se në vitin 2023 në Drejtorinë Policore në veri kanë dhënë dorëheqje 11 zyrtarë policorë, ndërsa në vitin 2024 nuk ka dorëheqje në Policinë e Kosovës.

Të ngjashme