Hoxhaj e quan demagog Kurtin: S’ka qëndrim të qartë për planin franko-gjerman, s’dëshiron të merret me marrëveshjen finale

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 08:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e ka quajtur demagog kryeministrin Albin Kurti për qëndrimet rreth dialogut Kosovë-Serbi. Thotë se s’ka qëndrim të qartë as për planin franko-gjerman, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Hoxhaj ka thënë se Kurti ka bërë përpjekje që t’i ikë dialogut duke u marrë me çështje teknike.

Duke e konsideruar si të vështirë anëtarësimin e Kosovës në OKB, Hoxhaj shprehet i bindur se integrimi i Kosovës në NATO është i mundur.

Ish-kryediplomati kosovar ka adresuar kritika edhe për njohjen e ndërsjellët me Serbinë. Thotë se Kurti s’po merret seriozisht me këtë çështje. 

“Mendoj se këto deklarimet demagogjike të kryeministrit Kurti, i cili është një demagog i madh, i cili pretendonte se ‘ju sa keni qenë në pushtet, ka pasur qëndrime të Administratës amerikane që të ketë njohje të ndërsjellë, por tash njohja ka ardhë në qendër’, e tash duke lëvizur në qendër i ka humbur dokumenti krejt dhe nuk po shihet askund. Unë mendoj që përtej asaj që kemi dallime të brendshme pozitë e opozitë, zotri Kurti do duhej ta shihte shumë serioz planin franko-gjerman, dhe të luftojë me planin diplomatik e me çdo kusht që njohja e ndërsjellët të jetë e dokumentit që nënshkruhet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB të jetë kërkesë e jona”, ka thënë Hoxhaj.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, është i mundur sipas Hoxhajt. Ai thotë se partnerët ndërkombëtarë duhet të bëjnë më shumë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën. 

“Por edhe partnerët tanë duhet të jenë serioz me Kosovën. Nëse ata nuk mund të bëjnë presion të mjaftueshëm që Serbia ta njeh Kosovën, mendoj që partnerët tanë duke qenë shtete anëtare të NATO-s e të OKB-së, mund t’i ofrojnë Kosovës një rrugë të shpejtë dhe të përshpejtuar të anëtarësimit të saj në NATO”, thotë Hoxhaj.

Ndërsa për vendimin për targa dhe për zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Hoxhaj thotë se Kurti ka rënë në grackën e Serbisë.

Ai konsideron se ky vendim është dashur të mënjanohet nga institucionet vendëse.

“Çfarë ka ndodhur vitin e kaluar dhe unë i kam thënë kryeministrit Kurti disa herë është që ai (Kurti) ka rënë në grackën e Serbisë. Kur partnerët tanë kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për targa, ata kanë kërkuar që të mënjanohet situata e 5 nëntorit, e cila ka krijuar një vakum të plotë institucional në veri të vendit. Asnjëherë nuk ka qenë pikë më e ulët e pranisë shtetërore në këtë pjesë të Kosovës, të dorëzimi të sovranitetit të Kosovës, sikurse që e ka bërë Albin Kurti me gabimet gjatë vitit të kaluar”, u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së, ka pasur kritika edhe për mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë. Thotë se kryeministri Kurti duhet të insistojë që në planin franko-gjerman të jetë njohja e ndërsjellët.

“Ka bërë përpjekje që t’i ikë dialogut dhe nuk dëshironte të merrej me marrëveshjen finale dhe bënte përpjekje që të merrej me tema të veçanta, me targat e temat tjera teknike. Për atë qëndrimi jonë gjatë vitit 2022 ka qenë që ai mos të merrej me marrëveshje të veçanta e që janë teknike por të përqendrohet te marrëveshja e madhe e njohjes së ndërsjellë, dhe plani franko-gjerman ka qenë mundësi e mirë, pa e lënduar integritetin territorial të Kosovës në veri të vendit në mënyrë sesi është lënduar dhe shkelë fuqishëm më nëntor të vitit të kaluar, dhe tash do të shihet se sa do të jetë në gjendje që ai ta rikthejë situatën e 4 nëntorit të 2022-ës me zgjedhjet të cilat duhet të mbahen në prill të këtij viti”, thotë Hoxhaj për EO.

Të ngjashme