Hyrja në grevë të përgjithshme, flasin nga Qeveria

Prishtinë | 25 Gus 2022 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës nga sot (25 gusht) kanë hyrë në grevë, dhe Qeveria vazhdon të ketë qëndrimin e njejtë e të prerë.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili në një prononcim për GazetaBlic, thotë se s’ka ndonjë ndryshim nga ajo çfarë ka thënë ditën e djeshme kryeministri Kurti.

“Për çështjen e grevës është deklaruar dje në konferencë për media kryeminstri Kurti”, tha shkurt Kryeziu.

Ndryshe, Kryeministri Kurti  dje në konferencën për media theksoi se është gabim që të mbahen grevat në kohën kur është proceduar Projektligji për pagat.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse… Disa prej tyre kanë udhëheqësi të re, duhet të ketë emancipim të ndërsjellë, ne jemi për dialog social pa kërcënime, pa ultimatum. Duam që të vazhdoj dialogu social, mirëpo nuk mendojmë që është koha e grevave dhe bojkoteve”, theksoi ai.

Të ngjashme