Hyseni për “kërcënimin” e AIP: Ne shpërfaqëm qëllimin e mbledhjes së peticionit, s’frikësohemi nga pushteti

Prishtinë | 07 Mar 2023 | 13:32 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) konsideron se nuk ka bërë shkelje ligjore me publikimin e peticioneve para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Nga kjo parti kanë thënë se pushteti po i sulmon kundërshtuesit e Asociacionit, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni, ka thënë për Ekonomia Online, se aksioni i djeshëm ka pasur për synim qëllimin e mbledhjes së këtyre nënshkrimeve në vitin 2016.

Sipas Hysenit, Kosova humb nga marrëveshja që në të ka implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne nuk e kemi keqpërdor peticionin përkundrazi peticioni është dhënë për me u kundërshtu Asociacioni. Ky ka qenë qëllimi i peticionit, arsyeja e mbledhjes së tij edhe në përputhje me këtë qëllim kemi veprua ne asgjë ndryshe. Na ja kemi dërgu atë peticion Qeverisë edhe po besoj që nuk duhet me u ndalë me kaq, pasojat që Kosova ka me i pas prej kësaj marrëveshjeje e cila as nuk ka njohje ndërkohë krijon ndarje të brendshme etnike këto pasoja kanë me qenë të mëdha”, tha Hyseni.

Ndërkaq, sa i përket masave që janë paralajmëruar ndaj tyre për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Hyseni thotë se presin vendime.

“Po ne vendimet i presim edhe prej gjykatave, edhe prej policisë nuk çuditemi po me thënë të drejtën as nuk brengosemi, edhe më pak me u trembë”, tha Hyseni për EO.

Ai tha se pushteti ka zgjedhë një mënyrë tradhtuese siç e quan ai perfide për ta mbrojtur veten dhe për t’i amortizuar sulmet.

Tutje, Hyseni ka thënë se ekzekutivi po e shkel vullnetin politik të qytetarëve me formimin e Asociacionit.

“Pushteti ka zgjedhë mënyra perfide për me e mbrojt veten edhe me amortizu sulmet. Nuk njeh historia më e re e Kosovës shkelje më të madhe të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës se sa ky që po bëhet me formimin e Asociacionit, në vend se me u bë problematik shkelja kaq kardinalë e vullnetit politik të qytetarëve, po bëhet problematike shpërfaqja e këtij vullneti”, u shpreh ai.

Të ngjashme