I akuzuari mbrohet në heshtje në rigjykimin për vrasjen e djalit të dajës

Prishtinë | 30 Maj 2023 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari Bali Reçica të martën në seancën e rigjykimit, ku i njëjti po akuzohet për vrasjen e djalit të dajës F.K., në fazën e mbrojtjes e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje pas konsultimit me mbrojtësin e tij, duke shtuar se mbetet pranë deklarimeve të dhëna më herët.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme për të akuzuarin Bali për veprën penale “Vrasje”, ndërsa e njëjta ka liruar nga akuza për veprën penale “Sulmi” të akuzuarin Baki Reçica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca vazhdoi me fjalën përfundimtare të cilën prokurorja e rastit Besa Limani e dorëzoi me shkrim, ndërsa gjatë elaborimit të të njëjtës tha se pas administrimit të provave ishte vërtetuar që i akuzuari Reçica kishte kryer veprën për të cilën akuzohet.

Prokurorja Limani i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor për veprën penale të vrasjes dhe të njëjtit të i shqiptoj dënim meritor, duke marr parasysh që i ndjeri F.K pas vetës kishte lënë fëmijët në moshë kritike të pubertetit dhe bashkëshorten.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Shpresa Krasniqi, avokati Gani Zabeli fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi me shkrim, duke shtuar se gjendja faktike e përshkruar si në aktakuzë ishte vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave që i akuzuari Reçica ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Avokati Zabeli i propozoi gjykatës që për të akuzuarin Reçica të shqiptoj një dënim më të ashpër në të kundërtën nuk do të përmbushej qëllimi i dënimit ndaj të njëjtit dhe si i rrethanë rënduese të ketë parasysh shkallen e lartë të dashjes dhe ta shpall fajtor.

Ndër të tjera edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Rrahman Krasniqi, avokati Ramadan Sylejmani fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, i cili shtoi se nga provat e nxjerra në shqyrtime gjyqësore ishte vërtetuar fakti se i akuzuari Reçica me dashje direkte kishte kryer veprën penale.

I njëjti i propozoi gjykatës, në rastin e matjes dhe shqiptimit të dënimit të akuzuarit të shqiptoj një dënim me burgim të paraparë me ligj.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Reçica, avokati Skender Musa fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim i cili ndër të tjera tha se ishte vërtetuar se nga ana e të akuzuarit nuk kishte ekzistuar dashja për të kryer veprën penale dhe se i njëjti me veprimet e tij kishte mbrojtur jetën e tij dhe të vëllait të tij.

Avokati Musa po ashtu i propozoi gjykatës që të analizojë institutin bazë i cili ishte mbrojtja e nevojshme, duke shtuar që i akuzuari Reçica nuk kishte dashur të privoj nga jeta të ndjerin dhe ndaj të njëjtit të merr aktgjykim lirues sepse për veprën për të cilin akuzohet i njëjti ishte vërtetuar që kishte rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të akuzuarit.

Paraprakisht avokati Musa tha se nga fjalën përfundimtare të prokurores Limani dhe përfaqësuesve të palëve të dëmtuara ishte vërtetuar për të gjithë se kishte ekzistuar sulmi i kundërligjshëm nga ana e të ndjerit kundër dy të mirave të mbrojtura nga shteti, siç ishin jeta e të mbrojturit të tij, vëllait të njëjtit dhe mbrojtjes të drejtës së pronës.

Edhe i akuzuari Reçica tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të mbrojtësit të tij, duke shtuar se i vinte keq për çka kishte ndodhur dhe se një gjë të tillë nuk e kishte bërë me paramendim e as me dashje.

Në anën tjetër gjatë elaborimit të fjalës së tij përfundimtare, nga ana e mbrojtësit të akuzuarit Reçica, avokati Musa, i dëmtuari Shuajb Krasniqi, djali i të ndjerit iu drejtua të njëjtit me fjalinë “pse po rren”, ku më pas kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajavzi i ka tërhequr vërejtjen me shkrim të njëjtit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale pritet të bëhet më 2 qershor 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 mars 2022, pas ricilësimit të veprës penale, i kishte dënuar me 18 vite burgim të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica, për akuzën se kishin privuar nga jeta djalin e tyre të dajës, F.K. Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bali Reçica ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 15 vitesh burgim, kurse i akuzuari Baki Reçica, ishte dënuar me 3 vite burgim.

Pas shqyrtimit të ankesave të palëve, në procedurë ankimore, Gjykata e Apelit më 19 korrik 2022, e ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, ashtu që Baki Reçicën e ka shpallur fajtor për veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 1. i Kodit Penal, dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim. Kurse, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë në pjesët tjera kishte mbetur i pandryshuar, ndërsa ankesat tjera ishin refuzuar si të pabazuara.

Ndërkaq Gjykata Supreme, më 30 janar 2023, sa i përket të akuzuarit Bali Reçica, pasi i vlerësoi pretendimet nga kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, konstatoi se kërkesat e avokatit Skender Musa ishin të bazuara dhe e ktheu çështjen në rigjykim në shkallën e parë, përkitazi veprën penale “Vrasje”, ndërsa për veprën penale armbajtës pa leje kishte mbetur e pandryshuar.

Ndërsa, e njëjta vendosi që pretendimet nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së mbrojtësit të dënuarit Baki Reçica, avokatit Fanol Krasniqi, janë të bazuara me ç ‘rast të njëjtin e ka liruar nga akuza për veprën penale “Sulmi”.

Sipas aktakuzës, pastaj dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllokun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolicë me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bën, unë bash këtu kam me e zbraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.

Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.

Për këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit Baki dhe Bali Reçica në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica e ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast.

Të ngjashme