Ibrahimi: Komunat po penalizohen nga Qeveria, nga viti tjetër ua merr të hyrat vetanake nëse u teprojnë

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 09:57 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me Projektligjin e Buxhetit për vitin 2023 Qeveria parasheh që nëse të hyrat vetanake të një komune nuk shpenzohen gjatë një viti, ato do t’i merren dhe t’i dhurohen komunave tjera ose të përdoren në nivelin qendror.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se Qeveria e po bie ndesh me dy ligje që rregullojnë funksionimin e komunave.

Ai tha se kjo është hera e parë në histori të Kosovës që një Qeveri i merr të hyrat vetanake të një komune.

“Qeveria në mënyrë të padrejtë, pa koordinim me komunat, pa asnjë koordinim me Asociacionin e Komunave të Kosovës ka ndërmarrë një veprim, ku në Projektligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2023 në nenin 9 ka futur pikën 6 që mjetet financiare të cilat komunat nuk i kanë shpenzuar deri në përfundim të vitit të kaluar t’i merren. Nëse bëhet një veprim i tillë bie ndesh me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe me Ligjin për financat lokale”, tha ai.

Sipas Ibrahimit me këtë vendim Qeveria është duke i penalizuar komunat dhe kërkoië që ky nen të hiqet.

Ai shtoi se nëse kjo ndodh, atëherë do të ndërmerren masa ligjore pasi sipas tij, është e padrejtë dhe joligjore që mjetet e një komune që janë dhuruar nga qytetarët t’i merren dhe t’i dhurohen një komune tjetër apo nivelit qendror.

“Komunat e kanë autonomin e plotë në bazë të këtyre dy ligjeve që mjetet të cilat burojnë nga të hyrat vetanake edhe nëse nuk shpenzohen të barten në vitin e ardhshëm. Në bazë të analizave tona këtu janë më dhjetëra miliona euro. Qeveria e Kosovës është duke i penalizuar komunat. Ne kërkojmë që qeveria ta heqë atë pikë, sepse kjo është e padrejtë. Nëse një veprim i tillë do të ndodhë, atëherë kryetarët e komunave dhe AKK-ja do të ndërmarrin nisma ligjore që kjo të ndalohet”.

“Kjo është edhe antiligjore. Në historinë e Republikës së Kosovës është qeveria parë e cila mundohet që të hyrat vetanake të komunave t’i marrë dhe t’i transferojë ato në nivel qendror. Është e padrejtë që mjetet e një komune t’i merren dhe t’i dhurohen një komune tjetër, sepse ato mjete janëë marr nga qytetarët e asaj komune përkatëse dhe për këtë arsye duhet qind për qind t’i dedikohen qytetarëve të cilët jetojnë në ato komuna, e jo të shpërndahen në komuna të tjera, apo për nevoja të nivelit qendror”

Madje, Ibrahimi thekson se niveli qendror po shihet se nuk është duke i harxhuar mjetet për investime kapitale që janë të parapara, ndërsa po dëshiron t;ua marrë komunave.

Të ngjashme