Komuna e Vushtrrisë me aktivitete të shumta ka shënuar 17 Shkurtin, 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Fillimisht, janë bërë homazhe në nderim të të rënëve për liri, e më pastaj është mbajtur edhe Akademi Solemne.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se çdo përpjekje për të dëmtuar ndonjë hallke nga zinxhiri i historisë sonë, është një gabim i madh dhe varfërim i historisë.
“Historia jonë është një rrugë e gjatë dhe e përgjakshme, që përbën një zinxhirë prej shumë hallkave të ndërtuara në periudha të ndryshme kohore deri te Pavarësia e Kosovës. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi historik nuk u ndalën luftërat dhe kryengritjet e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Në secilën kohë të këtij rrugëtuan burrat dhe gratë e kombit tonë, ndërtuan hallka të zinxhirit të historisë sonë, me mundin, sakrificën dhe gjakun e tyre. Çdo përpjekje për të dëmtuar ndonjë hallke nga zinxhiri i historisë sonë krenare, është një gabim i madh dhe varfërim i historisë. Andaj të jemi të kujdesshëm, ta ruajmë dhe ta begatojmë historinë tonë të lavdishme, dhe ta përcjellim te gjeneratat e reja, sepse kështu bëhemi më të fortë, dhe e qojmë në vend amanetin e dëshmoreve”, tha ai.
Idrizi tha se populli ynë kurrë nuk u dorëzua për të hequr dorë nga aspiratat e tij për liri dhe pavarësi, edhe përkundër tragjedive që përjetoi nga armiku shekullor serb
“Të gjithë popujt kanë historitë e tyre, por historia jonë si popull autokton ishte e veçantë sepse është histori mbijetese. Pra, është histori shumë e dhimbshme, e përcjellë me vuajtje, robëri, tragjedi dhe padrejtësi nga perandori të ndryshme, por është edhe histori krenare, sepse popull ynë kurrë nuk u dorëzua për të hequr dorë nga aspiratat e tij për liri dhe pavarësi, edhe përkundër tragjedive që përjetoi nga armiku shekullor serb”, deklaroi Idrizi.