Idrizi: Si bijë minatori, Mitrovicës do t’ia kthej dinjitetin

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 21:58 | Nga

Në një tubim elektoral me mbi 1 mijë qytetarë në Mitrovicë, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se kandidatja për kryetare të qytetit, Valdete Idrizi, do ta kthejë qytetin në një histori suksesi.

“Ka ardhur koha t’ia kthejmë dinjitetin Mitrovicës dhe qytetarëve të saj me Forcën e Ndryshimit të Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me të gjithë qytetarët, të rinj e të moshuar, gra e burra, studentë e minatorë, bashkë me Valdete Idrizin, kryetaren e ardhshme të Mitrovicës”, ka thënë ai.

Veseli deklaroi se gratë deri më tani kanë qenë imazhi më i mirë i Kosovës.

“Gratë janë imazhi më pozitiv i Kosovës në botë. Në sport, kulturë dhe art, në shoqëri civile dhe politikë, gratë e Kosovës po transmetojnë një botë imazhin e një Kosove evropiane, me të ardhme të sigurt dhe prosperuese”, theksoi kryetari Veseli, duke shtuar se PDK-ja është platforma më serioze për Mitrovicën.

Kurse, kandidatja për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, para të pranishmëve ka paraqitur vizionin e saj për udhëheqjen e qytetit.

Ajo ka thënë se Mitrovica më nuk do të jetë qytet i stagnimit, por i zhvillimit dhe mitrovicasve do u kthehet dinjiteti.

Si bijë e minatorit, Valdete Idrizi ka thënë se ia ka borxh Mitrovicës që t’ia kthejë dinjitetin e saj.

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi së bashku me Kadri Veselin kanë prezantuar kandidatët për asambleistë në këtë komunë.

Idrizi në fjalimin para simpatizantëve të PDK-së ka deklaruar se do të punojë për zhvillimin e qytetit të Mitrovicës.

Ajo ka garantuar qytetarët se do të qeverisë në mënyrë të drejtë dhe transparente.

Të ngjashme