Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raporton “(Mos)kushtëzimi i dënimit me kusht – Analizë e zbatimit të detyrimeve specifike në dënimet me kusht”, përmes së cilit ka evidentuar se detyrimet specifike që mund t’u shqiptohen personave ndaj të cilëve vendoset dënimi me kusht po përdoren në masë të kufizuar nga gjykatat, raporton Ekonomia Online.
Gëzim Shala nga IKD ka thënë se dënimi me kusht nuk duhet të mbetet vetëm një vendim formal, por duhet të shoqërohet, kur është e nevojshme, me detyrime konkrete për të siguruar rehabilitimin e kryesit dhe kompensimin e viktimës.
“Dënimi me kusht është një nga dënimet alternative. Është në rastet kur gjykata e shpall fajtor personin për veprën për të cilën është akuzuar dhe ia cakton dënimin konkret, por që ai dënim nuk ekzekutohet në një afat të caktuar, gjatë të cilit i dënuari detyrohet që të mos kryejë vepër tjetër penale. Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përveç dënimit me kusht, me rastin e shqiptimit të dënimit me kusht gjykata mund t’i caktojë edhe detyrime shtesë të pandehurit që mund të jenë shumë konkrete. Për shembull, mund t’ia caktojë si detyrim që ta kompensojë viktimën, ta kthejë përfitimin e paligjshëm, t’i nënshtrohet trajtimit, të mos përdorë alkool apo drogë, apo të mos kontaktojë persona të caktuar. Këto detyrime janë të rëndësishme sepse e bëjnë dënimin me kusht real dhe efektiv, dhe jo vetëm si një mundësi që mund të perceptohet si amnisti apo falje nga dënimi. Qëllimi në këtë rast është që personi të mos e përsërisë veprën, të rehabilitohet dhe kur është e mundur, të kompensohet edhe viktima”, tha Shala.
Sipas Shalës, IKD ka analizuar 300 aktgjykime të viteve 2023, 2024 dhe 2025, në të cilat janë identifikuar 320 dënime me kusht. Nga këto, vetëm 17 detyrime specifike janë shqiptuar, ndërsa në nivel të aktgjykimeve, detyrimet janë përdorur vetëm në 12 raste.
Ai ka theksuar se, ndonëse Kodi Penal parasheh 15 detyrime specifike, në rastet e analizuara janë përdorur vetëm gjashtë prej tyre, ku më të shpeshtat kanë qenë kompensimi i viktimës, ndalimi i përdorimit të alkoolit apo drogës dhe trajtimi mjekësor ose rehabilitues.
Shala ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si arsyetohen aktgjykimet, duke thënë se në shumicën e rasteve ku është shqiptuar dënim me kusht pa detyrime shtesë, gjykatat nuk kanë shpjeguar pse nuk e kanë parë të nevojshme caktimin e tyre.
“Një problem tjetër është mungesa e arsyetimit të aktgjykimeve. Në 288 aktgjykime ku janë shpallur fajtorë me dënim me kusht dhe nuk është shqiptuar asnjë detyrim, në këto raste gjykatat nuk kanë shpjeguar fare aspektin e caktimit të detyrimeve, pse nuk ka qenë e nevojshme ndonjë detyrim konkret. Në bazë të aktgjykimeve të analizuara nuk mund të kuptohet nëse gjykatat e kanë shqyrtuar fare këtë çështje që në këto procedura penale a është e nevojshme që të shqiptohen detyrime të tilla. Edhe te Shërbimi Sprovues i Ministrisë së Drejtësisë kemi pasaktësi. Edhe pse në 20 e ca raste është urdhëruar mbikëqyrja nga Shërbimi Sprovues, në 18 prej tyre nuk është përcaktuar ndonjë detyrim konkret që duhet të mbikëqyret. Kjo padyshim se përbën një shqetësim sepse jepet përshtypja se dënimet alternative dhe mbikëqyrja e tyre në praktikë më tepër janë si detyrime në numra, por pa asnjë përmbajtje”, tha Shala.
Një tjetër gjetje e IKD-së lidhet me recidivizmin. Sipas analizës, në gjysmën e aktgjykimeve të shqyrtuara nuk është evidentuar nëse personi kishte qenë i dënuar më parë. Ndërkaq, në 28 raste ku aktgjykimet evidentonin se personi kishte të kaluar penale, sërish ishte shqiptuar dënim me kusht, përfshirë edhe raste të përsëritjes së së njëjtës vepër ose të një vepre të ngjashme.
“Një gjetje tjetër serioze lidhet me recidivizmin. Në gjysmën e aktgjykimeve të analizuara, gjykatat nuk kanë evidentuar fare nëse personi më parë ka qenë i dënuar apo jo. Kjo është veçanërisht problematike tek dënimet me kusht sepse sjellja e mëparshme e kryesit është një nga faktorët esencialë për të vlerësuar nëse ky lloj dënimi është i mjaftueshëm. Edhe në 28 rastet ku vetë aktgjykimi evidentonte se personi kishte të kaluar penale, gjykatat kanë shqiptuar sërish dënim me kusht dhe në disa raste edhe kur bëhej fjalë për përsëritje të veprës së njëjtë apo një vepre tjetër të ngjashme. Problemi është se aktgjykimet nuk shpjegojnë mjaftueshëm se pse, pavarësisht recidivizmit, dënimi me kusht është konsideruar i mjaftueshëm dhe pse nuk është shoqëruar me detyrime konkrete specifike”, u shpreh Shala.
Shala ka thënë se, në rastet kur gjykata vendos të mos e dërgojë një person në burg, duhet të vlerësojë se çfarë masash apo detyrimesh duhet të zbatohen gjatë periudhës së verifikimit, në mënyrë që dënimi me kusht të arrijë qëllimin e tij.

