IKD: Shteti vazhdon t’i përjashtojë pensionistët nga të drejtat që ua garanton ligji

Prishtinë | 24 Maj 2024 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka kritikuar institucionet e vendit për mos realizimin e të drejtave ligjore ndaj pensionistëve, duke mos ua përllogaritur pensionet në bazë të inflacionit, raporton Ekonomia Online.

Sipas IKD-së, qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë mbushur 65 vite jetë, pavarësisht nga historia e tyre e punësimit gëzojnë të drejtën e pensionit bazë.

“Qeveria e Kosovës ka dështuar të përllogarisë koston e jetesës së mijëra pensionistëve në mënyrë që t’i rrisë pensionet dhe t’i përshtatë ato edhe me inflacionin. Ky mosharmonizim përbën shkelje të të drejtave të qindra mijëra pensionistëve dhe dështim për t’i mbrojtur të drejtat që ua garanton ligji. Qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë mbushur 65 vite jetë, pavarësisht nga historia e tyre e punësimit gëzojnë të drejtën e pensionit bazë, politikë pensionale e cila ishte vendosur si masë për zbutjen e varfërisë. Por, përkundër qëllimit të kësaj mase, si mjet jetik në luftën kundër varfërisë dhe mbrojtjes sociale të qytetarëve që kanë mbushur moshën e pensionit, ky qëllim nuk është përmbushur asnjëherë”, thuhet në një komunikatë të IKD-së.

IKD vlerëson se shuma e përcaktuar ndër vite ka qenë e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet minimale të përfituesve.

“Për më tepër, institucionet e Kosovës, respektivisht Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale (MPMS) për vitet e mëhershme, tani Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) nuk kanë ndërmarrë hapa adekuatë dhe nuk kanë zbatuar legjislacionin në fuqi për caktimin e lartësisë së pensionit. Sipas Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, MFPT e ka për obligim që për secilin fundvit, t’i propozojë Qeverisë së Kosovës lartësinë e pensionit për vitin e ardhshëm, në pajtim me koston e jetesës dhe inflacionit. Në këtë kuptim, pensionet duhet të harmonizohen me koston e jetesës duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në Indeksin e Kostos së jetesës të vitit paraprak”, thekson IKD.

Përkundër që është obligim ligjor, IKD vlerëson se MFPT dhe Qeveria e Kosovës nuk propozuan dhe nuk morën vendim në pajtim me Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga Shteti dhe në pajtim me Ligjin mbi Metodologjinë e caktimit të lartësisë së pensionit bazë në Kosovë dhe caktimin e datës për sigurimin e pensioneve bazë.

“Mospërshtatja e pensioneve duke e përllogaritur koston e jetesës çdo vit është shkelje e të drejtave të qindra-mijëra pensionistëve. Dështimi për t’i përshtatur pensionet me koston e jetesës është një dështim për t’i mbrojtur të drejtat që u ka garantuar ligji. Rrjedhimisht, kjo ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë situatë të vështirë jetese për këtë kategori që siguron jetesën bazuar në pensionin e shtetit. IKD, shpreh shqetësimin e thellë për moszbatimin e dy ligjeve themelore të cilat kanë në mbrojtje afërsisht 147 mijë pensionistë të Kosovës, të cilët mund të jenë në kufirin e varfërisë për shkak të mosveprimit të shtetit. Shteti ka për obligim që të ofrojë kujdes shëndetësor, strehim dhe shërbime shtesë për të siguruar standard mesatar të jetesës për pensionistët”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Andaj, IKD, ka kërkuar nga MFPT-ja dhe Qeveria e Kosovës, që të nisë së zbatuari të dy ligjet. Në të kundërtën, për interes publik ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha procedurat ligjore që kjo çështje të adresohet.

Të ngjashme