180 raste me fruth janë konfirmuar në Kosovë gjatë periudhës 16 prill – 27 shtator 2026, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar tetë raste të reja, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
Sipas të dhënave të IKShPK-së, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth u përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR.
“Vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme, më e sigurt dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së.
Përballë rasteve të reja, institucioni ka intensifikuar, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, edhe vaksinimin e vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk e kanë marrë vaksinën në kohën e paraparë.
Sipas IKShPK-së, si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
Instituti ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve në rritjen e shkallës së vaksinimit.
“Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit”, thuhet në komunikatë.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që të respektojnë vaksinimin e rregullt dhe të shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit “catch-up” për fëmijët që kanë mbetur prapa me imunizimin.
“Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur!”, përfundon komunikata e IKShPK-së.