Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 29 qershor 2026 në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 47 raste me fruth, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të sigurojnë vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të imunizimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 14 raste, pasuar nga Ferizaj me 12 raste dhe Kaçaniku me gjashtë raste. Fushë-Kosova ka raportuar tre raste, ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi kanë nga dy raste secila. Nga një rast është konfirmuar në Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten në institucionet shëndetësore nëse shfaqin simptoma të fruthit.
“IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Instituti ka theksuar se për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes së tij në komunitet, është me rëndësi që prindërit dhe kujdestarët të kontrollojnë nëse fëmijët janë vaksinuar sipas kalendarit të imunizimit.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare”, thuhet më tej.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të parandaluar përhapjen e fruthit dhe për të mbrojtur shëndetin publik.
“Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thotë njoftimi.