“Ilegalisht” i ndryshohet fasada kompleksit ‘Qafa’ që ndodhet në zonën historike të Prishtinës

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Objektet e trashëgimisë kulturore e arkitektonike të Kosovës në vazhdimësi përballen me neglizhencë të mirëmbajtjes e ndërhyrjeve që ua ndërrojnë identitetin.

Rrënimi apo fasadimi i tyre pa kritere ka bërë që shumë objekte të humbasin atributet e trashëgimisë historike të vendit, raporton Kallxo.com.

Përpos shkatërrimit që u bë në periudhën e luftës, dëmtim i madh në shumë objekte të vjetra erdhi pas luftës pasi disa u rrënuan në emër të diçkaje të re, kurse në ato që pati investime, një pjesë u bënë pa kritere dhe ua humbën origjinalitetin.

Madje, ka edhe prej tyre që kanë stagnuar me vite të tëra në procese të restaurimit.

Kompleksi ‘Qafa’Ndërhyrja në fasadën e jashtme të një ndërtese në kompleksin ‘Qafa’, tek zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës nxiti shumë reagime tek qytetarët, pasi këto të fundit bashkë me 5 soliterët në lagjen ‘Ulpiana’ si objekte banimi, karakterizohen për veçantinë e tyre arkitektonike si ndërtim i kohës së ish Jugosllavisë.

Kompleksi ‘Qafa’ nuk gjendet në listën e objekteve në mbrojtje të përkohshme, por një ndërhyrje e tillë nuk mund të kryhet pa pëlqim nga ana e Institutit të Trashëgimisë dhe Mbrojtjes së Objekteve, pasi ndodhen në zonën historike të qytetit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Edona Durguti, Drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

“Ndërtesa në të cilën së fundmi janë zhvilluar punime, e cila gjendet në kompleksin Qafa, nuk është e listuar si e veçantë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme 2021-2022, por e njëjta ndodhet brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, aset i trashëgimisë kulturore në kategorinë ‘fushë e konservimit arkitekturor’, ka thënë Durguti.

Ajo shtoi se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për punime në atë ndërtesë.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës nuk ka pranuar kërkesë për pëlqim për realizimin e punimeve në këtë ndërtesë”, shtoi ajo.

Derisa, nga komuna dhe LDK nuk janë deklaruar lidhur me ndërhyrjen në këtë kompleks./Media Ndërtimi.

Të ngjashme