Ekonomia Online
FUNDIT

Rahoveci miraton vendimin për harmonizimin e 30 mijë eurove nga kategoria e pagave, Latifi ngre shqetësimin për pagën e 13-të

Rahoveci miraton vendimin për harmonizimin e 30 mijë eurove nga kategoria e pagave, Latifi ngre shqetësimin për pagën e 13-të

Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, në të cilën ka miratuar vendimin për harmonizimin e mjeteve financiare në kuadër të programeve buxhetore për vitin 2026, raporton Ekonomia Online.

Sipas dokumentit të miratuar, vendimi parasheh harmonizimin e mjeteve në kategorinë e pagave dhe shtesave, me vlerë prej 30 mijë eurosh.

Në dokument përmenden disa programe buxhetore nga të cilat bëhet harmonizimi i mjeteve.

Në programin e Buxhetit dhe Financave (175), përkatësisht nënprogramin Buxhetimi (17511), përmendet shuma prej 15 mijë e 400 eurosh, ndërsa në programin e Zyrës Komunale për Komunitete (195) parashihet shuma prej 14 mijë e 600 eurosh.

Po ashtu, dokumenti përfshin edhe programin e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes Civile dhe Inspektimeve, ku parashihet shuma prej 12 mijë eurosh, si dhe programin e Arsimit Parashkollor, me 18 mijë euro. Në kuadër të programit të Shërbimeve Publike dhe Mbrojtjes Civile përfshihet edhe shërbimi i zjarrfikësve.

Pas këtij vendimi, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka ngritur shqetësimin për mënyrën e sigurimit të mjeteve për pagën e 13-të, duke thënë se ato po merren nga buxheti i pagave të këtij viti.

Latifi ka deklaruar se paga e 13-të, e cila ishte premtuar të jepej këtë vit, do të ekzekutohet në janar të vitit 2027.

“Paga e 13-të që është dashur të jepet këtë vit, do të jepet në janar, ashtu siç është premtuar. Paratë për pagën e 13-të po merren nga buxheti i pagave për këtë vit. Duhet të jemi shumë të saktë: buxheti i pagave të këtij viti po sigurohet për pagën e 13-të, e cila nuk po jepet këtë vit, por në janar të vitit të ardhshëm. Nëse ka pasur keqplanifikim, ajo është përgjegjësi e Ministrisë së Financave”, ka thënë Latifi.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk votohet kjo mënyrë e sigurimit të mjeteve mund të rrezikojë pagat e rregullta të punëtorëve të sektorit publik nëpër komuna.

“Qytetarët tanë që janë të punësuar në sektorin publik duhet ta dinë se ekziston rreziku që mund të mbesin pa paga. Pas këtij vendimi dhe vendimeve që mund të marrin edhe kuvendet e komunave të tjera, ne nuk mund ta dimë nëse do të sigurohen pagat, pasi përgjegjëse për këtë është Ministria e Financave”, ka deklaruar ai.

Sipas Latifit, Komuna e Rahovecit ka qenë në rregull me obligimet e saj, ndërsa problemin e ka lidhur me planifikimin e mjeteve nga Ministria e Financave.

“Në këtë rast, a mund të sigurohen, a ka edhe kur ne e dimë që jemi në rregull si komunë, edhe kemi qenë në rregull si komunë, qytetarët edhe drejtori të këtij qyteti. Mirëpo krejt ky është problemi të rroga 13, dikush e ka qit fjalën edhe tash per me mbajt atëfjalë, ndoshta ata vet s’kan planifiku vitin e kaluar për këtë vit, ministria e financave edhe tash në, frymën e asaj që duhet me mbajtur fjalën, ata që kanë premtu,”, shtoi ai.

Të ngjashme