Inaugurohet “Muri i Nderit” për sakrificën e shqiptarëve gjatë Holokaustit

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 10:29 | Nga Gresë Alija Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është inauguruar “Muri i Nderit” nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael në Parkun e Qytetit në Prishtinë. Kjo u bë në shenjë mirënjohjeje për sakrificën e shqiptarëve të Kosovës në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, raporton Ekonomia Online.

Në ambientet e Parkut të Qytetit në Prishtinë, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar të jetë pjesëmarrës në ceremoninë e inaugurimit të këtij muri i cili nderon vetëmohimin dhe sakrificën e shqiptarëve në Kosovë që shpëtuan miqtë dhe fqinjët e tyre hebrenj nga e keqja e Holokaustit.

“Falë punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ne kemi nxjerrë në sipërfaqe këtë pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët të dy popujve tanë. Falë përpjekjeve të tyre, emrat e këtyre heronjve do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në këtë mur, në vend që të harrohen me kalimin e kohës”, u shpreh kryeministri.

Njëkohësisht, ai cilësoi se “Muri i Nderit” jo vetëm që përkujton aktet heroike, por shërben edhe si monument i vlerave të përbashkëta dhe i miqësisë së qëndrueshme të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën. Sipas tij e përbashkëta mes këtyre dy popujve qëndron në ndjenjën e privimit nga shtëpia, në kuptimin e plotë të fjalës. 

“Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti – shteti i Izraelit dhe shteti i Kosovës – që më në fund u dha atyre ndjenjën e fortë të shtëpisë, nga e cila ata ishin privuar më parë”, shtoi kryeministri.

Fjalën e tij, kryeministri e përmbylli duke kujtuar se ky “Mur i Nderit” i kushtohet jo vetëm historisë, por edhe pasardhësve. Bindshëm do të shërbejë si një simbol i fuqishëm i miqësisë së përjetshme të popujve tanë – tani dhe për brezat që do të vijnë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ky monument paraqet vlerat e popullit të Kosovës.

“Ne zbulojmë murin e nderit, vlera që e shënojnë historinë tonë. Ky mur është më shumë se një strukturë, ndërsa përjetësojmë një të kaluar që do të frymëzojmë gjenerata e tjera që vijnë”.

Ish-kongresistin amerikan, kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, tha se falënderimi është gjëja më e paktë që mund të bëjnë për ndihëm që treguan populli i Kosovës në kohë lufte.

Përderisa gruaja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, u shpreh mirënjohëse, duke thënë se kosovarët treguan sakrificë e tolerancë.

“Mirënjohje për Latif Kryeziun dhe familjen e tij, Agim dhe Bledar Lleshi dhe arkitektët Sali dhe Linda Spahiu që e ndërtuat këtë mur. Shqiptarët e Kosovës treguan sakrificë dhe tolerancë”.

Lekë Rezniqi, nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, tha se po ndihet i lumtur që më në fund po njihet kontributi i shumë familjeve kosovare.

“Duke qenë një nga pasardhësit, sot është një ditë shumë e rëndësishme për mua, sepse më ne fund po përjetësohet vepra e familjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Të ngjashme