Inaugurohet Nënstacioni Ferizaj 3, Rizvanolli: Një investim strategjik që do të ketë ndikim të madh në të ardhmen

Prishtinë | 23 Jan 2025 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Është inauguruar sot Nënstacioni i ri Ferizaj 3, me kapacitet 110/35/10 kV, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ndërtimi i Nënstacionit Ferizaj 3 është një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e angazhimit tonë për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike.

“Ky projekt reflekton vizionin tonë për të fuqizuar zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Ky është një investim strategjik që do të ketë ndikim të madh për shumë vite në të ardhmen.”, tha ajo

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT, Gëzim Tosuni theksoi se sot, ne shohim frytet e punës së palodhshme dhe vizionit tonë për të përmbushur kërkesat në rritje për energji elektrike në Kosovë.

“Nënstacioni Ferizaj 3 do të jetë një shtyllë kyçe për stabilitetin dhe sigurinë energjetike, duke sjellë përfitime të mëdha për mijëra qytetarë dhe biznese.”, tha ai.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Evetar Zeqiri theksoi se inaugurimi i Nënstacionit Ferizaj 3 është një dëshmi e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për të ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm, modern dhe efikas në transmisionin e energjisë elektrike.

“Ky projekt jo vetëm që garanton furnizim më të mirë dhe të qëndrueshëm për qytetarët dhe bizneset, por përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm lokal. Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan me përkushtim dhe profesionalizëm në realizimin e këtij projekti jetik’’, tha ai.

Nënstacioni i ri Ferizaj 3 siguron furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor për mbi 12,000 konsumatorë, zgjidhje e problemeve me mbingarkimin dhe reduktimin e humbjeve teknike në rrjet, shkarkim i ngarkesave në NS Bibaj, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve në Komunën e Ferizajt, Kaçanikut, Shtërpcës dhe Brezovicës, ulje e energjisë së padërguar deri në 780 MWh/vit dhe reduktim i emetimeve të CO2 me 4.95 kiloton/vit.

Ky projekt kap vlerën totale prej 6.8 milionë euro.

Të ngjashme