Infektimi i mësimdhënësve, komunat angazhojnë personel shtesë dhe mbinormë

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 19:33 | Nga Ekonomia Online

Lirie Sllamniku është njëra prej 11 mësueseve që është angazhuar në shkollën fillore “Mihail Grameno”, në Fushë-Kosovë.

Pas infektimit të mësueses së klasës së parë, Sllamniku është angazhuar nga komuna, në mënyrë që procesi mësimor të mos ndërpritet.

Ismet Gashi, drejtori i shkollës, ka treguar deri tani kanë qenë rreth 30 nxënës e 30 mësimdhënës të infektuar, kryesisht nga klasat e para.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, i ka thënë KOHËS se zëvendësimi i mësimdhënësve e ka bërë Komuna me kërkesë të shkollave.

“Mësimi nuk ndërpritet për shkak të arsimtarëve të infektuar, sepse kemi rezerva të mësimdhënësve. I kemi kontaktet e atyre që kanë alokuar më herët dhe nëse janë të përshtatshëm i thërrasim ata dhe i angazhojmë në mësim”, ka thënë ai.

Në Komunën e Gjilanit ka pasur mbi 50 mësimdhënës të infektuar, dhe drejtori i Arsimit në këtë komunë, Nazim Gagica, e pranon se zëvendësimi i tyre ka krijuar telashe të mëdha.

“Ne po mundohemi që t’i mbulojmë me staf të brendshëm mësimdhënësit që kanë rezultuar pozitivë me COVID, por në anën tjetër është edhe një problem tjetër që ne duhet t’i mbulojmë apo zëvendësojmë mësimdhënësit që janë të izoluar. Kemi një numër të madh të mësimdhënësve, të cilët janë të infektuar për shkak të disa kontakteve që i kanë pasur dhe i kemi rekomanduar që të mos e vijojnë mësimin derisa të testohen, pra është sfidë mbulimi i orëve”, ka thënë Gagica.

Ndërsa, në Komunën e Pejës, deri tani të evidentuar kanë qenë 28 nxënës dhe 34 mësimdhënës si të infektuar me COVID.

“Në disa raste nuk kemi mundur me zhvillua atë procedurë që është e lejuar. Kemi shpallur konkurs, ndërsa në disa raste kemi pasur rezerva të mësimdhënësve në sistemin arsimor dhe i kemi futur në procesin mësimor derisa të lirohen mësimdhënësit e infektuar”, është shprehur drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj.

Ministria e Arsimit bën të ditur se deri tani mbi 200 nxënës dhe rreth 400 mësimdhënës janë infektuar me koronavirus.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme