Inspektorati i ndërtimit me kapacitete të kufizuara, shkaku i aktakuzave

Prishtinë | 01 Kor 2019 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati i ndërtimit në Komunën e Prizrenit aktualisht po përballet me kapacitete të kufizuara njerëzore. Gjysma e inspektorëve të ndërtimit janë në pezullim parandalues për shkak se ndaj tyre janë ngritur aktakuza për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare. Një gjë e tillë, sipas drejtuesve të Inspektoratit, paraqet sfidë serioze sa i përket mbikëqyrjes së aktiviteteve ndërtimore në Komunën e Prizrenit.

“Në Drejtorinë e Inspektorateve, në sektorin e ndërtimit duhet të jenë 6 inspektorë, sepse për mbikëqyrje permanente qyteti ndahet në 6 zona sikurse edhe udhëheqësi i sektorit. Për shkak të pezullimeve parandaluese aktualisht punojnë vetëm 3 inspektorë si dhe udhëheqësi i sektorit. Pra jemi mangu për 3 inspektorë”, ka thënë drejtori i Inspektorateve, Islam Thaçi.

Sipas tij, legjislacioni parasheh që nëpunësit civilë që janë të suspenduar të marrin gjysmën e rrogës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. “Mirëpo në anën tjetër neve s’na mundësohet hapja e vendit të ri të punës për ta plotësuar këtë zbrazëti, sepse i suspenduari merr gjysmë page”, ka deklaruar Thaçi. Ai pohon se kjo situatë ka shtruar nevojën që pjesa tjetër e stafit që mbikëqyr aktivitetet ndërtimore në Komunën e Prizrenit të angazhohet dyfish.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme