Isa Mustafa: Do t’ua japim shansin besnikëve në LDK

Prishtinë | 26 Dhj 2020 | 21:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kandidaturë në zgjedhjet e reja do të kenë ata që i qëndruan besnikë partisë.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook , ka treguar se ka diskutuar me kryesinë e LDK-së për zgjedhjet e reja.

“Diskutuam sot në Kryesi për zgjedhjet e reja, pas takimeve disaditore që i kisha me kryetarë të degëve. LDK është e gatshme për zgjedhje dhe do të organizohet për fitore. Do tu japim shansë gjithë atyre që e duan dhe i qëndrojnë me besnikëri LDK-së, para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.

Tutje, ai ka paralajmëruar edhe se kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, do të zhvillojë një takim me kryetarë të degëve për punët që janë kryer përgjatë qeverisjes së legjislaturës së shtatë.

“Kryeministri Hoti, në cilësinë edhe të në kryetarit të LDK-së, nesër do të bisedojë me kryetarë të degëve për punët të cilat i ka bërë Qeveria Hoti gjatë kësaj periudhe si dhe për sfidat që janë para nesh”, ka deklaruar Mustafa.

Agim Veliu, nënkryetar i kësaj partie, po ashtu përgjatë ditës së sotme, në vizitën me strukturat e LDK’së në Podujevë, kërkoi nga ta për mobilizim.

“Në dy takime të ndara, sot takova kryetarët e nëndegëve të LDK-Podujevë, ku kërkova rritje të angazhimit dhe mobilizim për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat padyshim do të rikonfirmohemi si forca kryesore politike”, shkroi Veliu në Facebook.

Të ngjashme