Ish-ambasadori Dedaj: Konjufca në OKB duhej të kërkonte anulimin e plotë të dënimit ndaj katër liderëve të UÇK-së

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori dhe politikani Gjergj Dedaj tha për “Front Online” se qëndrimet politike dhe kombëtare të ministrit të jashtëm, Glauk Konjufca për çlirimtarët e UÇK-së dallojnë nga ato të Qeverisë dhe LVV-së.

Dedaj ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e imponuar dhe vetëmbrojtëse përballë gjenocidit serb.

“Qëndrimet politike dhe kombëtare të Konjufcës, për çlirimtarët e UÇK-së në thelb ndryshojnë nga qëndrimet e Qeverisë dhe të LVV-së. Janë më përmbajtësore dhe më të drejta, duke vënë në pah se lufta heroike e UÇK-së ishte e drejtë, e imponuar, guerile dhe vetëmbrojtëse nga gjenocidi serb”, ka deklaruar Dedaj.

Ai tha se Konjufca ka pasur mundësi ta shprehë këtë qëndrim më fuqishëm dhe më bindshëm, duke kërkuar anulimin dhe ndryshimin e plotë të dënimit ndaj katër liderëve të UÇK-së.

“Konjufca ka pasur hapësirë ta thotë këtë edhe më zëshëm dhe shumë më bindshëm, duke mos kërkuar vetëm ‘korrigjim të verdiktit të shpallur’, por anulim dhe ndryshim të plotë të atij dënimi abuziv, absurd dhe shumë të padrejtë për katër liderët e UÇK-së, të cilët morën dënim prej 81 vjetësh burgim”, ka thënë ai.

Sipas Dedajt, dënimi i ish-krerëve të UÇK-së paraqet një padrejtësi ndaj atyre që mbrojtën Kosovën.

“Agresorët dënohen më pak se viktimat dhe çlirimtarët në vetëmbrojtje të Kosovës”, është shprehur Dedaj.

Ish-ambasadori ka kërkuar që përfaqësuesit e Kosovës të mos hezitojnë t’i paraqesin argumentet dhe faktet për krimet e kryera.

“Faktet dhe argumentet për krimet fashiste të Serbisë duhet Konjufca dhe secili zyrtar i Kosovës të mos hezitojë për ta thënë të vërtetën edhe në KS të OKB-së e kudo në botë, pa ekuivoke dhe belbëzime”, tha Dedaj.

Të ngjashme