Ish-komandanti i FSK-së: Ëndrra e Serbisë për t’i marrë territor Kosovës, e parealizueshme

Prishtinë | 08 Kor 2018 | 08:19 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovë, Kadri Kastrati, njohës i çështjeve të sigurisë, vlerëson se pas përfundimit të demarkacionit me Malin e Zi, është e domosdoshme që herët apo vonë të kryhet edhe shënimi i vijës kufitare me Serbinë, shtet ky i cili vazhdimisht ka shfaqur pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Kur këtij procesi t’i vijë radha, Kastrati kërkon që të mos përsëritet situata e demarkacionit me Malin e Zi, e cila mbajti të bllokuara institucionet dhe çështjen e liberalizimit të vizave, me pretendimin se Kosova humbë tokë.

Kastrati ka thënë për Ekonomia Online se para se të nënshkruhet marrëveshja për caktimin e kufirit me Serbinë, duhet të ketë debat gjithëpërfshirës mes pozitës dhe opozitës, në mënyrë që të ketë pajtueshmëri të plotë rreth kësaj çështjeje.

“Kisha dashur që të mos jetë sikur rasti me Malin e Zi, para se të nënshkruhet një marrëveshje përfundimtare për caktimin e kufirit të ketë debat publik, të ketë përfaqësim të të gjitha partive politike, pozitë e opozitë. Të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të debatohet”, ka thënë Kastrati për EO.

Kastrati është i bindur se Kosova ka liderë shtetëror të ndërgjegjshëm, të cilët sipas tij, nuk do të gabojnë për t’i dhënë territor Serbisë.

“Me Serbinë, jam shumë i bindur se kemi liderë të ndërgjegjshëm, që kanë sakrifikuar në të kaluarën dhe e dinë çka është liria dhe mundi për të pasur shtet, kemi ekspertë të mjaftueshëm dhe nuk besojë se dikush do të gabojë dhe do t’i jap Serbisë territor. Absolutisht, kjo është e papranueshme”, ka shtuar ai.

Kastrati ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe i pranuar ndërkombëtarisht me kufijtë aktual, derisa  i ka bërë thirrje Serbisë që ta heq nga koka ëndrrën se mund të marrë territor asaj.

“Kosova është shtet sovran i pranuar ndërkombëtarisht me kufijtë e vet dhe absolutisht Serbia le ta heq atë ëndërr prej kokës që do ta marrë edhe një metër tokë të territorit të Kosovës. Kjo liri dhe ky shtet është fituar me gjak e mund, jo vetëm të luftës së fundit, por me gjenerata kanë luftuar për lirinë tonë, dhe ajo ëndërr e Serbisë do të jetë e parealizueshme”, është shprehur Kastrati.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se në fazën e re të dialogut me Serbinë do të diskutohet edhe për demarkacionin e kufirit mes të dyja shteteve, raporton EO.

Sipas tij, shtetet nuk kanë pasur kurrë kufi shtetëror, prandaj edhe do të jetë e vështirë që të arrihet konsensus me Serbinë. Për këtë çështje, Thaçi ka kërkuar edhe përfshirjen dhe mbështetjen e NATO-s.

 

 

Të ngjashme