Ish-ministrja e Jashtme: Ende s’ka aktakuzë ndaj Radoiçiqit, Lista Serbe vazhdon të financohet nga shteti

Prishtinë | 26 Shk 2024 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka theksuar se edhe pas pesë muajve nuk ka aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit, i cili ka pranuar përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar. Haradinaj-Stublla ka theksuar se Lista Serbe ende vazhdon të financohet nga shteti i Kosovës, duke përdorur fonde të miratuara nga KQZ dhe Kuvendi i Kosovës.

Pamje të terroristëve nga sulmi në Banjskë, ku shihej edhe Milan Radoiçiq, 24 shtator 2023.
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka deklaruar se edhe pas pesë muaj nga sulmi terrorist në Banjskë dhe vrasja e policit Afrim Bunjaku, ende nuk ka aktakuzë të ngritur ndaj Milan Radoiçiqit.

Nëpërmjet një postimi në platformën “X”, Haradinaj-Stublla ka thënë gjithashtu se se Lista Serbe ende vazhdon të financohet nga shteti i Kosovës.

“Pesë muaj nga sulmi në Banjskë dhe vrasja e Afrim Bunjakut! Ende nuk ka aktakuzë për Radojçiqin që pranoi krimin, dhe Lista Serbe ende vazhdon të financohet nga shteti i Kosovës (me votë të të gjitha partive politike) me 360 mijë euro nga KQZ dhe 250 mijë euro nga Kuvendi i Kosovës!”, ka shkruar ajo në “X”.

Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Sipas Policisë, gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Të ngjashme