Ismaili reagon për mos vaksinimin e qytetarëve të dielën: Vitia të jap përgjegjësi vet ose të kërkojë nga të tjerët

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka reaguar për mosvaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19 gjatë ditës së sotme.

Ai ka thënë se për këtë dështim ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duhet të jap përgjegjësi vetë, ose të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët.

Shkrimi i tij i plotë:

Për besë, e tmerrshme. Të mos arrihet organizimi i një orari me ndërrime për vaksinim, në mënyrë që ky proces të mos ndalet për asnjë ditë, është mungesë e aftësive menaxheriale dhe moskokëçarje ndaj shëndetit të qytetarëve dhe ndaj ekonomisë së vendit.

Në njërën anë i shtrëngojnë masat, e në anën tjetër pushojnë. Përderisa Kosova është vendi i vetëm që ka vaksinuar më së paku, për shkak se ende nuk ka siguruar blerjen e vaksinave, e kur edhe ato pak vaksina donacion që kemi – nuk u jepen qytetarëve të dielave, me arsyetimin se është ditë pushimi, është e pafalshme.

Për këtë dështim, Ministri Arben Vitia ose duhet të japë përgjegjësi vetë, ose duhet të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët. Fshehja në kohë krize nuk është zgjidhje.

Të ngjashme