Istraga: Milan Radojiçiq është plagosur në veri të Kosovës të dielën

Prishtinë | 25 Sht 2023 | 21:30 | Nga Ekonomia Online

Mediumi boshnjak Istraga.ba, pretendon se krimineli Millan Radojiçiq, është plagosur të dielën në Veri.

Milan Radojiçiq i cili prej kohësh është i kërkuar nga autoritetet e Kosovës dhe në listë të zezë të Amerikës, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet në spital, raporton kjo medie.

Istraga.ba bën të ditur se në disa tentime kanë provuar të vënë kontakt me Radojiçiqin.

Fillimisht, një person i panjohur i cili i është përgjigjur numrit të tij të telefonit ka thënë se “nuk është Radojiçiq”, ndërsa më pas, gjatë korrespondencës, i njëjti person ka pohuar se Radojçiq është mirë dhe se po trajtohet.

Se Radojiçiq është plagosur dhe ndodhet në një spital Serbi, ka raportuar pak më vonë edhe mediumi kosovar, Indeksonline.

Sipas burimeve, “një pavion i tërë i spitalit është bllokuar për kujdesin e tij dhe besohet se është jashtë rrezikut për jetë”.

Më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se në automjetet që u sekuestruan në Banjskë janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiqit, i cili ndodhet në listën e zezë të ShBA-së.

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që po ashtu është në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radojiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij në këtë aksion”, tha ai.

Të ngjashme