Jashari për të riun nga Skenderaj që vdiq nga Covid-19: La pas vetes gruan dhe fëmijët

Prishtinë | 31 Gus 2021 | 20:55 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit që vdiq si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi përgjatë së martës.

Jashari, nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, njoftoi se i ndjeri la pas vetes gruan dhe fëmijët, derisa e cilësoi atë si “djalë shembull”, shkruan Gazeta Express.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëqytetarit tonë, djalit të jashtëzakonshëm, biznesmenit, Faton Hoti, i cili pas një beteje me COVID-19 u nda nga jeta në moshën më të mirë, duke lënë pas gruan dhe femijët”, ka shkruar kryetari i Skenderajt.

Për vdekjen e të ndjerit paraprakisht njoftoi deputetja e PDK’së, Blerta Deliu, nëpërmjet ‘Facebook’-ut.

“Edhe një djalë i ri i Drenicës e paska humb betejën me Covidin. Fatoni ishte djalë i jashtëzakonshëm e punëtorë. Do ti mungojë shumë qytetit e miqve. Ngushëllimet më të përzemërta familjes e atyre që e njohën. Shpirti i tij u prehtë në parajsë!”, shkroi ajo në ‘Facebook’.

Përgjatë 24 orëve të fundit, duke iu referuar raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, 26 persona kanë vdekur si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi.

Të ngjashme