Në përvjetorin e katërdhjetë të vrasjes së patriotit Jusuf Gërvalla, nuk mundem pa i përmend edhe gjurmët që i ka lënë ky hero, në sferën e muzikës.
Axha Jusuf, përvëç që ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, poet, prozator, përkthyes, ka qenë edhe kompozitor dhe kantautor i muzikës zbavitëse.
Me shpirtin e tij poetik, kultivoi shansonën dhe baladen.
Lirisht mund të themi që ishte prej kompozitorëve të parë kosovarë, që komponoi balada moderne.
Në këngët e tij “Motiv i përjetshëm”, “Dashuria ëndërr” dhe “Ç’është kjo”, përveç vlerave artistike, në mënyrë suptile hetohet një pakënaqësi me rrjedhat e përgjithshme shoqërore. Shpirti i tij patriotik ka qenë prezent në të gjitha krijimet e tij, qoftë letrare apo muzikore.
Fatkeqësisht, këngët e tij ka gjasa që janë asgjësuar, nga arkivi i Radio Televizionit të Prishtinës, gjatë okupimit të viteve të nëntëdhjeta.
Në anën tjetër, bashkëshortja e tij, tezja Suzana, ka qenë padyshim një lloj burim i inspirimit për komponimet e tij. E shkolluar që në fëmijërinë e hershme në shkollën e baletit në Shkup, Suzana Gërvalla besoj që ka qenë muza artistike e Jusufit.
Patrioti i madh yni, së bashku me bashkëshortën, në mes tjerash, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në kulturën kosovare.
Përndryshe, frymën patriotike dhe kulturore, ky çift bashkëshortor, e ka bartur edhe në fëmijët e tyre: Premtonin dhe Donikën.
Si sot më kujtohet kur Premtoni këndonte në Akordet e Kosovës. E Donika, është flautiste.
Tani katërdhjetë vjet pas vrasjës së z. Gërvalla, vuajtjet e tezës Suzana dhe fëmijëve të saj, janë kthyer në krenari kombëtare.
Mburremi me axhën Jusuf si patriot, por njëjtë, mburremi me axhën Jusuf edhe si poet, prozator, kantautor dhe kompozitor i shansonave dhe balladave shqiptare.
E për mua personalisht, mbetët mision zbulimi në detaje i rastit të vrasjës së vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, në vitin 1982.
Mision i njëjtë duhet të jetë edhe për organet tona shtëtërore.
Me kalimin e kohës, arkivat e shërbimit sekret jugosllav, duhet të hapën për publikun.
Për më tepër, në Gjermani, para disa vitesh, njëri prej udhëheqësve të shërbimit sekret dhe jugosllav – Zdravko Mustać, është dënuar me burgim të përjetshëm për likuidimin e emigrantit kroat Stjepan Dureković, në vitin 1983 në Munih. Për të njëjtin krim, është dënuar edhe Josip Perković, zyrtari i lartë i shërbimit sekret kroat.
Prokuroria gjermane, këtë rast nuk e ka mbyllur asnjëherë, dhe me krijimin e kushteve, dhe hapjen e pjesërishme të dosjeve, e kanë vazhduar rastin 35 vjet pasi që është kryer krimi ndaj emigrantit kroat Stjepan Dureković.
Ps. Në Akordet e Kosovës të vitit 1970, vendin e parë e ka zënë Nexhmije Pagarusha me këngën ‘Kaptina e fundit e romanit’, titullin dhe tekstin e së ciles këngë e ka shkruar Jusuf Gërvalla.