Nga Italia është nisur anija e parë me emigrantë për t’i sjellë në Shqipëri ku do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit, sipas marrëveshjes së arritur mes Kryeministrave Rama-Meloni.
Anija “Libra” e Marinës italiane u nis nga Lampedusa me destinacion final Shqipërinë për të sjellë emigrantët e parë që do të strehohen në kampin e ngritur në Gjadër të Lezhës.
Emigrantët e vendeve të treta iu nënshtruan kontrolleve para se të dërgoheshin drejt vendit tonë. Mediat italiane raportojnë se azilkërkuesit, kryesisht nga Afrika Veriore, do të marrin një përgjigje brenda 4-javësh në lidhje me kërkesën e tyre për azil.
Gjatë pritjes së përgjigjes, emigrantët do të qëndrojnë në kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit. Nëse përgjigjia është pozitive, atëherë do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali.
Kapaciteti maksimal është 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar.