Kanosi deputetin Avdullah Hoti përmes Facebook-ut, ngritet aktakuzë ndaj të pandehurit

Prishtinë | 24 Kor 2023 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.S., për shkak të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 15.12.2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari A.H., (Avdullah Hoti) deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri kryen veprën penale të kanosjes.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Të ngjashme