Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar katër armë zjarri, municion dhe mjete të tjera të kundërligjshme gjatë aksioneve të zhvilluara në ditët e fundit.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë angazhimeve operative në raste të ndara janë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri, 32 fishekë, katër thika, si dhe pajisje të tjera të dyshuara si të kundërligjshme.
Rastet janë evidentuar në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, ndërsa personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionet policore.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me prokurorët kompetentë, janë ndërmarrë procedurat ligjore përkatëse, ndërsa armët, municioni dhe mjetet e sekuestruara janë dërguar si prova materiale.
Autoritetet kanë theksuar se aksionet për parandalimin e posedimit të kundërligjshëm të armëve do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim.