KDI: Reforma e prokurimit publik duhet të fokusohet në performancë dhe rezultate për qytetarët

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që reforma e ardhshme e prokurimit publik në Kosovë të kalojë përtej ndryshimeve teknike dhe të orientohet drejt transformimit strukturor të sistemit, me fokus në performancën, integritetin dhe përdorimin më efikas të parasë publike.

Këto qëndrime u prezantuan në tryezën e diskutimit me temën “Prokurimi publik në Kosovë: Përtej ndryshimeve teknike – Drejt një reforme strukturore të prokurimit publik në Kosovë”, ku morën pjesë përfaqësues institucionesh, deputetë, organizata të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Në hapje të tryezës, Florent Spahija tha se prokurimi publik nuk duhet të shihet vetëm si proces administrativ, por si mekanizëm që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Kur projektet publike dështojnë ose nuk i përgjigjen nevojave të qytetarëve, atëherë kemi dështuar të krijojmë vlerë nga paratë publike. Debati për prokurimin duhet të fokusohet te rezultatet dhe ndikimi i investimeve publike”, tha Spahija.

Duke prezantuar analizën e KDI-së, Diana Metushi Krasniqi vlerësoi se Kosova ka bërë progres në digjitalizim dhe transparencë, por se reforma e re duhet të adresojë problemet strukturore të sistemit.

“Reforma e fundit gjithëpërfshirëse është realizuar në vitin 2011, ndërsa ndryshimet e viteve 2015–2016 kanë qenë kryesisht teknike. Përpjekjet e mëvonshme për reformë nuk janë finalizuar, ndërsa përjashtimi i shoqërisë civile nga grupi i ri punues i krijuar në janar 2026 ngre shqetësime për gjithëpërfshirjen e procesit”, theksoi ajo.

Sipas KDI-së, reforma duhet të zhvendosë fokusin nga transparenca drejt performancës, nga tenderimi drejt menaxhimit të të gjithë ciklit të prokurimit, nga procedurat drejt vlerës për paranë publike, si dhe nga kriteri i çmimit më të ulët drejt qëndrueshmërisë dhe inovacionit.

Gjatë panelit diskutues, deputetja Eliza Hoxha kërkoi ndarjen e funksioneve të blerjes nga ato të prokurimit, krijimin e një Katalogu Shtetëror të Çmimeve dhe integrimin e dimensionit gjinor në prokurimin publik.

Ndërkohë, deputetja Janina Ymeri ngriti shqetësime për menaxhimin e kontratave dhe mungesën e llogaridhënies.

“Menaxhimi i dobët i kontratave dhe mungesa e llogaridhënies përbëjnë një nga rreziqet kryesore për financat publike”, vlerësoi Ymeri.

Në anën tjetër, Albulena Nrecaj tha se legjislacioni kosovar në fushën e prokurimit është në masë të madhe i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian, por sfidë mbetet zbatimi i tij në praktikë.

“Ligji i Prokurimit Publik është kryesisht i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian, ndërsa sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale për shkeljet dhe lëshimet”, theksoi Nrecaj.

Në përfundim të diskutimit, pjesëmarrësit u pajtuan se reforma e ardhshme duhet të shkojë përtej ndryshimeve procedurale dhe të ndërtojë një sistem modern të prokurimit publik, të bazuar në performancë, integritet, menaxhim të rrezikut dhe përdorim strategjik të shpenzimeve publike.

Sipas KDI-së, reforma duhet të mbështetet në modernizimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, zhvillimin e sistemit Procure-to-Pay (P2P), menaxhimin e integritetit dhe rrezikut, orientimin drejt performancës dhe promovimin e prokurimit të qëndrueshëm.

Të ngjashme