Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Konferencën për prezantimin e shpalljes së aktivitetit të prokurimit (faza I/para kualifikimi) të projektit kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3” të Termocentralit Kosova A, investim ky në vlerë 137 milionë euro.
“Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë dhe rritjen e efikasitetit të kësaj njësie, duke kontribuar në forcimin e sigurisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik të Kosovës”, thuhet në kumtesë.
Në fjalën hapëse, kryeministri Kurti tha se është i lumtur që ndodhej në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për KEK-un, e cila do të mbahet mend një kohë të gjatë.
“KEK-u sot do të rehabilitojë njësinë A3 si asnjëherë më parë, duke paguar çdo cent nga fitimi i arritur për më pak se 4 vjet të Qeverisjes sonë dhe të udhëheqjes së re korporative. Me mbi 137 milionë euro, ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve tona, 4 dekada më parë. Ndërkohë, KEK-u po ripërtërihet me kuadro të reja, me fokus të veçantë tek prodhimi. Gjatë tri viteve të fundit, 745 punonjës të rinj, përfshirë 48 gra, janë punësuar në KEK e do të sigurohen që KEK të vazhdojë operimin”, tha kryeministri.
Krahas këtij projekti, kryeministri theksoi se vendi po hedh hapa të mëdhenj në transicionin energjetik.
“Vetë KEK-u po ndërton parkun diellor me kapacitet 100 megavatë, përmes financimit që kemi siguruar si Qeveri. Ministria e Ekonomisë po zhvillon ankandin e dytë për energji të ripërtëritshme sërish 100 MW kësaj radhe nga era. Kurse kompanitë botërore janë ftuar të konkurrojnë për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive akumuluese, që ndërtohen me grantin 202 milionë dollarë nga ShBA dhe bashkëfinancim me qeverinë tonë, 34.7 milionë të tjera shtesë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se këto projekte të mëdha janë produkt i guximit tonë për të qeverisur drejt, duke ndjekur një vizion të qartë për të ardhmen tonë, duke vendosur politikat tona mbi studime të thella dhe praktikat të mira, dhe duke mbrojtur gjithherë pasurinë publike e interesin e përgjithshëm.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri falënderoi punonjësit, menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, USAID-in për përkrahjen teknike dhe të gjithë që kanë kontribuuar që të fillojë ky projekt.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se lansimi i këtij projekti është burim i një pune dhe një politike të qartë, e cila vendosë në radhë të pare burimet energjetike vendore për siguri të furnizimit dhe që është vulosur me përvojën që patëm gjatë krizës së viteve 2021-2022, krizës botërore, që preki edhe Kosovën, mirëpo efektet e së cilës i ndjejmë edhe sot në tregjet botërore.