Kelmendi: Të hiqet dorë prej politikës së inatit

Prishtinë | 26 Mar 2018 | 08:57 | Nga
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Ramiz Kelmendi, u ka bërë thirrje subjekteve politike të heqin dorë prej politikës së inatit për interesat kombëtare.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se subjektet politike duhet ta shohin votën e LDK-së për demarkacionin si mësim se si duhet reflektuar për hir të interesit kombëtar të shtetit.

“Derisa kemi veprime bllokuese të Listës Serbe, spektri politik i Kosovës çështjet e rëndësishme të shtetit të Kosovës duhet t’i shtyjë në bazë të parimit të interesin kombëtar dhe jo në bazë të parimit të xhelozisë politike. Nga ky veprim i LDK-së do të duhej të mësonin AAK-ja, Nisma, PDK-ja si dhe Grupi i Pavarur i deputetëve. Pra, duhet ta shohin formën demokratike që ka vepruar LDK-ja në këtë rast”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka deklaruar se LDK-ja me votën e saj për demarkacionin ka vërtetuar edhe një herë se ky subjekt politik për interesat madhore i kalon ato partiake.

Ai ka kritikuar Qeverinë Haradinaj në aspektin ekonomik, duke theksuar se kjo Qeveri nuk po tregon ndonjë lëvizje që garanton zhvillim ekonomik.

Kelmendi në këtë intervistë ka folur edhe për faktorët që mund ta rrezojnë Qeverinë Haradinaj.

“Opinionet e qytetarëve nuk janë të mira për Qeverinë e drejtuar nga z. Haradinaj. Në bazë të këtyre opinioneve, duket se kjo Qeveri do të bjerë”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi është pyetur edhe rreth mundësisë së rikthimit të tij në AAK, pasi lideri i kësaj partie Ramush Haradinaj drejton qeverisjen e vendin.

“Për mua kjo është një pyetje befasuese. Lëvizjet i bëj sipas interesave politike dhe bindjeve të mia politike. Çdoherë kërkoj të jem aty ku vjen në shprehje profesionalizmi im. Nga AAK-ja ka kohë që kam dal, kurse nga PDK-ja ka një kohë më të shkurtër që jam larguar. Tani jam në LDK dhe jam ambientuar në këtë subjekt politik. Mendoj se tani e kam edhe kohën që ta kem një stabilitet politik”, është shprehur Kelmendi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme